Sport

Challandes i matur para ndeshjes me Azerbajxhanin

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, është treguar i matur me deklaratat para ndeshjes me Azerbajxhanin në Ligën e Kombeve, por ka shtuar se do të kërkojë tri pikë të reja.

Çdo rezultat pos humbjes, në ndeshjen e së martës, e çon Kosovën në Ligën C dhe në gjysmëfinalet për kualifikim në Evropian.

Përzgjedhësi i Kosovës ka vlerësuar ekipin kundërshtar, sipas së cilit është edhe favorit ndaj djemve të rinj të Kosovës.

“Në këtë takim neve na favorizojnë dy rezultate, por unë mendoj se të dy skuadrat kanë njësoj shanse për të fituar dhe për të marrë vendin e parë”, ka thënë Challandes në konferencën për media. “E kam studiuar Azerbajxhanin dhe mund të them se ka një skuadër shumë të mirë, që luan e organizuar kanë më shumë përvojë se ne, e pikërisht kjo i favorizon ata në duel direkt”.

Zvicerani ka thënë se nuk do ta ndryshojë stilin e lojës dhe do të kërkojë tri pikët edhe në këtë takim.

“Asnjëherë nuk do ta ndryshoja filozofinë time të lojës, pavarësisht kundërshtarit, apo rrethanave. Do të ishte një gabim i madh, po të ndryshonim filozofinë dhe të luanim për barazim. Ne do mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë, duke u treguar të kujdesshëm në mbrojtje, duke mbajtur sa më shumë topin dhe duke tentuar të shënojmë gola”, përfundoi ai, transmeton KP.