Istogu kalon tutje në Challenge Cup

Istogu kalon tutje në Challenge Cup

18 November 2018 23:38

Istogu ka shënuar dy fitore ndaj skuadrës italiane Cassano Magnago për të zënë vend në mesin e 16 skuadrave më të mira në Challenge Cup për hendbolliste. Istogu të shtunën e të dielën u përball me skuadrën italiane në palestrën "Karagaçi" në Pejë, ndërsa falë dy fitoreve me nga dy gola dallim e kaloi me sukses raundin e tretë të garave.

Hendbollistet e Istogut vetëm për herë të dytë u paraqitën në kupa evropiane. Para një viti garuan po ashtu në rrethin e tretë të Challenge Cup, që është niveli i tretë i garave evropiane, pas Ligës së Kampionëve dhe Kupës së EHF-së. Vjet kishin përballë një ekip nga Holanda dhe i humbën të dy ndeshjet e luajtura në Holandë, raporton Koha Ditore.

Këtë vit shorti ishte më i favorshëm dhe Istogu pranoi të organizojë dy ndeshjet me shpresë se do të kalojë tutje. Këtë edhe e arriti, ndonëse skuadra përballet me vështirësi shtesë në mungesë të palestrës në qytetin e Istogut. Për këtë arsye dy ndeshjet u luajtën në Pejë, ku istogaset patën përkrahje të madhe nga shikuesit.

Në ndeshjen e parë, të shtunën, Istogu fitoi me shifrat 26:24. Në atë ndeshje më efikasja ishte kapitenia Albina Rugova me tetë gola, kurse Elma Kameri realizoi gjashtë herë.

Të dielën Istogu fitoi nda Cassano Magnagos me rezultatin 23:21, ndërsa plot dhjetë gola i shënoi Elma Kameri. Nga katër herë shënuan Albina Rugova e Arlinda Krasniqi. Magnago ka përvojë dukshëm më të gjatë në skenën evropiane, por jo ndonjë sukses.

"Është sukses historik për skuadrën e Istogut. Jemi shumë të kënaqura që jemi në mesin e 16 skuadrave më të mira në Challenge Cup. I kemi pritur fitoret, sepse kemi parë lojërat e italianeve dhe jemi përgatitur për to. Shpresojmë të vazhdojmë me suksese edhe në një të tetën e finales", ka thënë hendbollistja Elma Kameri.

Istogu është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll dhe njëra prej pesë skuadrave që përfaqësuan Kosovën këtë vit në gara evropiane. Besa Famgas kaloi një rival në Kupën e EHF-së, ndërsa Prishtina (meshkujt) e Shqiponja (femrat) u ndalën në ndeshjet e para.

Kastrioti i Ferizajt ka kaluar Tallinnin në rrethin e dytë të Challenge Cup (meshkujt), ndërsa në rrethin e tretë përballet me Visen e Belgjikës. Ndeshjen e parë e luajti të dielën mbrëma në Belgjikë, ndërsa pësoi me rezultatin 33:21. Ndeshja e kthimit luhet fundjavën e ardhshme në Ferizaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme