“Marigonë, këqyr fokusohu për të shënuar sa më shumë pikë”. Ky ishte mesazhi që trajneri i ekipit të femrave Prishtina, Fidan Shatri ia dha basketbollistes Marigona Rushiti gjatë "time-outit", në ndeshjen e luajtur vikendin e shkuar në Vushtrri.
Rushiti nuk e kishte ditur se çfarë ka në mendje trajneri i saj dhe kishte filluar të zbatonte urdhrat e tij. Dhe ajo tregohej e saktë gati nga çdo pozitë që gjuante. Në fund, të gjithë filluan ta përgëzonin. Përderisa ajo mendonte se po përgëzohej për fitoren edhe paraqitjen e mirë, trajneri Shatri iu afrua dhe i tregoi se kishte vendosur rekord për pikët e shënuara në një ndeshje basketbolli në Kosovë. Prej 126 pikëve sa i kishte shënuar komplet ekipi i Prishtinës kundër Vushtrrisë, 116 prej tyre në protokoll i takonin numrit dhjetë - Rushitit. Dueli përfundoi 126:31 në të mirë të Prishtinës, shkruan Koha Ditore.
Vetëm pas kësaj, Rushiti e kuptoi qëllimin e trajnerit Shatri, që gjatë atij tajm-outi i kërkoi të gjuante vazhdimisht.
“Gjithçka ka ardhur papritur, asgjë nuk ka qenë e planifikuar. Thjesht, fillova të shënoja pikë dhe trajneri më kërkoi që të shënoja edhe më shumë. Nuk e dita arsyen deri pas përfundimit të ndeshjes kur me tregoi për rekordin që vendosa”, thotë Rushiti./ Tahir Sopi
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)