Refuzimi i Spanjës që ta njohë pavarësinë e Kosovës është një pengesë për organizimin e garave sportive në këtë vend gjë e cila duhet të zgjidhet shpejt, ka thënë zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të martën.
Mos-njohja e Kosovës nga Spanja paraqet problem kur atletët nga shteti ynë dëshirojnë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare në Spanjë.
Për shembull, gjatë Kampionatit Botëror të Karatesë nga 6 deri më 11 nëntor në Madrid, atletët nga Kosova u lejuan të garojnë me vetëm inicialet e federatës së tyre, KKF, në pjesën e prapme të uniformave të tyre, raporton AFP.
Por në tabelën e rezultateve ata paraqiteshin me “Federata Botërore e Karatesë (WKF) 5”, ndërsa u ndalua si flamuri ashtu edhe himni i tyre.
Kjo bëri që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të kërkojë nga federatat ndërkombëtare të mos organizojnë gara të mëdha sportive në Spanjë derisa kjo të zgjidhet, ka thënë për AFP-në një burim i afërt me organin që ka selinë në Zvicër.
Lexoni edhe:
India rrezikon të mos organizojë më ngjarje të mëdha sportive për shkak të Kosovës
“Ne mund ta njohim ose jo një vend në nivel politik, por ne s’kemi opinion në këtë çështje”, ka thënë para reporterëve në Madrid zëvendëspresidenti i IOC-së, Juan Antonio Samaranch, i cili vjen nga Spanja, transmeton Koha.net.
“Por ne duhet të gjejmë dhe të zbatojmë zgjidhje në mënyrë që atletët të mbrohen dhe të mund të marrin pjesë duke, së paku, mbrojtur komitetin Olimpik të vendit të tyre. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur këtu, sepse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të tundohet që të përqendrohet në të”.
“Unë nuk e shoh këtë çështje si problem të madh, është problem që do të zgjidhet shpejt”, shtoi ai.
Spanja, e cila do të organizojë finalen e Ligës së Kampionëve në qershor, planifikon të aplikojë për organizimin e Olimpiadës Dimërore 2030 në Barcelonë dhe në malet e afërta Pirineje, duke i dhënë atij nxitje shtesë për të zgjidhur problemin.
Në një deklaratë, sekretarja shtetërore spanjolle e Sportit, Maria Jose Rienda, tha se atletët kosovarë e “e kishin të garantuar” sigurinë gjatë kampionatit të karatesë javën e kaluar dhe i bëri thirrje IOC-së që të diskutojë këtë çështje me këshillin qeveritar spanjoll të Sportit të cilin ajo e drejton.