Sport

Shaqiri e kupton Kloppin pse s’e ftoi për ndeshjen me Zvezdën

Descriptive Text

Anësori i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, e pranon se lënia jashtë skuadrës për ndeshjen e fundit në kuadër të Ligës së Kampionëve në Beograd kundër Cërvena Zvezdës, vetëm sa e ka bërë atë më të uritur për ta treguar potencialin me t’u kthyer në skuadër.

Shaqiri, që luan për Zvicrën dhe ka prejardhje nga Kosova, mbeti në qytet pasi që menaxheri Jurgen Klopp deshi të shuante tensionet lokale në Serbi, e cila s’e njeh Kosovën si shtet të pavarur, raporton agjencia e lajmeve “Press Association”.

Ai u kthye fuqishëm në skuadër kundër Fulhamit fundjavën që lamë pas, ishte krijues, shënoi golin që i dha fitoren prej 2-0 skuadrës së tij.

Shaqiri tha se e ka pranuar plotësisht vendimin e Kloppit për të mos e ftuar në Beograd, por ka thënë se ka dashur të shfaqë ndikimin e tij porsa të kthehet në 11-shen startuese, transmeton Koha.net.

“Është një atmosferë shumë e nxehtë atje dhe ishte më mirë të rrija në shtëpi dhe të përqendrohesha vetëm në futboll”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Press Association”.

“Isha i freskët, qëndrova këtu dhe u stërvita me disa lojtarë tjerë, por nuk ndryshon shumë kjo punë. Doja të jepja një performancë të mirë, dhe po, ashtu doli. Në fund të fundit, është vendim i trajnerit se kush luan kundër kujt. Nëse ai vendos që ju të luani nga fillimi, shumë mirë, por edhe nëse jeni në bankën rezervë, dhe ftoheni të luani, duhet të bëni ndikimin”, tha më tej Shaqiri.

Kloppi e ka ndryshuar formacionin e tij të zakonshëm 4-3-3 në 4-2-3-1 javëve të fundit, formacion që i përshtatet ‘treshes së madhe’, Mohamed Salahut, Roberto Firminos dhe Sadio Manes, por edhe Shaqirit.