Sport

Kosova nis përgatitjet “pa” krahun e djathtë

Pak minuta vrapim të lehtë dhe u ul për të shikuar shokët teksa stërvitnin të hënën mbrëma në stadiumin "Fadil Vokrri". Mërgim Vojvoda, mbrojtësi i vetëm i krahut të djathtë te Kosova, ka probleme me lëndimin dhe kjo paraqet problem të madh edhe për Kosovën dhe trajnerin Bernard Challandes, para dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, kundër Maltës (17 nëntor) dhe Azerbajxhanit (20 nëntor).

Për rreth një orë sa zgjati stërvitja e Kosovës për ndeshjet e radhës, Vojvoda rrinte ulur dhe vëzhgonte. Ai ka kohë që është i pazëvendësueshëm te Kosova, e kështu, në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), presin të jetë edhe për dy ndeshjet vendimtare, shkruan sot Koha Ditore.

Por Vojvoda nuk ishte i vetmi lojtar që mungoi në stërvitjen e parë. Numri i lojtarëve që të hënën pasdite stërviteshin ishte 11.

Pjesa tjetër e lojtarëve që kanë luajtur të dielën me klubet e tyre kanë qëndruar në hotel. Ndonjë pritet të mbërrijë sot.

Për lëndimin e Vojovodës ka folur edhe seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, gjatë konferencës së mbajtur të hënën në mëngjes. Megjithatë, ai shpreson se Vojvoda do të jetë i gatshëm për ndeshjet kundër Maltës në udhëtim dhe kundër Azjerbajxhanit në Prishtinë.\F.P.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)