Vazhdojnë polemikat rreth reagimit të Jose Mourinhos pas ndeshjes Juventus-Manchester United në Ligën e Kampionëve.
Carlo Ancelotti doli në mbrojtje të kolegut të tij portugez, duke e cilësuar një reagim të logjikshëm në fundin e një ndeshjeje me ofendime pafund ndaj “Special One”.
“Më falni, nuk e dëgjova”, tha me shaka trajneri i Napolit, duke përsëritur gjestin e Mourinhos në “Allianz Stadium”, ndërsa më pas shpjegoi edhe pse ishte në krah të portugezit, transmeton kp.
“Përtej shakave, duhet të them që veprimi i Mourinhos ishte krejtësisht i justifikueshëm, pasi nuk bëri asgjë vulgare apo ofenduese ndaj tifozëve. Ai u ofendua në mënyrë të përsëritur përgjatë 90 minutave. Në stadiume duhet të përkrahësh skuadrën tënde dhe jo të fyesh kundërshtarin”, tha Ancelotti.
Edhe vet trajneri i Napolit është fyer në këtë mënyrë nga tifozët e Juventusit, kur këto dy skuadra ishin përballur këtë sezon në Allianz Stadium.