Futbollisti brazilian Neymar, ka kohë që flitet se dëshiron të kthehet në Camp Nou, në klubin ku ai e bëri emrin e tij, dhe ish-shoku i tij nga ky ekip e sheh se kjo mund edhe të ndodhë në të vërtetë.
Sipas Martin Montoyës, ish-shoku nga ekipi, Neymar dëshiron rikthimin në Barcelonë, shkruan Goal.com, transmeton Koha.net.
Super-ylli i PSG-së ka braktisur Camp Noun vitin e kaluar, duke iu bashkuar gjigantit francez me një marrëveshje të madhe prej 222 milionë euro.
Megjithatë, spekulimet që atëherë kanë vazhduar ta lidhin atë me një ribashkim të tij me Lionel Messin dhe Luis Suarezin, me të cilët ai pati formuar sulmin e frikshëm të quajtur “MSN”.
Pavarësisht kësaj, Neymar ka vazhduar të shkëlqejë edhe në Francë duke shënuar 40 gola në 44 ndeshje dhe ka bërë 22 asistime.
Montoya, megjithatë, mendon se braziliani, me të cilin kanë luajtur bashkë nga 2013 deri 2016-ën, ka gjasë të rikthehet në Camp Nou.
“Nuk e di, mendoj se është e vështirë që të ndodhë”, ka thënë Montoya për Goalin kur është pyetur për rikthimin e mundshëm të Neymarit.
“PSG është po ashtu një ekip i madh dhe mendoj se nuk do ta lëshojë atë lehtë. Parisi ka paguar një shumë të madhe parash për të dhe nuk mendoj se Barcelona do të paguante të njëjtin çmim për të [për t’u rikthyer]”, shtoi Montoya, transmeton Koha.net.
“Mendoj se Neymari dëshiron të kthehet sepse ai është ndierë me të vërtetë rehat dhe është adaptuar shumë mirë gjatë tre vjetëve në klub. Ai pati një lidhje të mirë me Suarezin dhe Messin, por mendoj se është shumë e vështirë për të që të kthehet në Barçë”, tha ndër të tjera Montoya.