Sport

Xhaka vlerësohet lart për paraqitjen ndaj Liverpoolit

Descriptive Text

Mesfushori kosovar, Granit Xhaka, është vlerësuar lart për paraqitjen në ndeshjen ndaj Liverpoolit të shtunën, që Arsenali e barazoi me shifrat 1:1. Madje në disa mediume paraqitja e Xhakës është vlerësuar më e mira në karrierën e tij me fanellën e Arsenalit.

“Ishte një përbërje që në shikim të parë dukej se ka lënë Arsenalin shumë të ekspozuar ndaj Liverpoolit në kundërsulme. Por tifozët e trembur të Arsenalit nuk kishin pse të shqetësoheshin, pasi Granit Xhaka tregoi performancën e karrierës për të ndihmuar skuadrën e tij që të vazhdojë serinë pa humbje. Mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës gjatë ka qenë njeriu që tifozët e kanë shënjestruar për të urryer për tendencën e tij për të humbur topin dhe për të shkaktuar faulle në zona të rrezikshme. Mirëpo, përkrah idhullit të ri të Emiratesit, Lucas Torreira, Xhaka ishte gati i pagabueshëm në mesfushë duke mbajtur nën kontroll Liverpoolin”, ka shkruar gazeta “The Sun”. Transmeton “Koha Ditore”.

Xhaka luajti tërë ndeshjen ndaj Liverpoolit, siç luajti edhe Shkodran Mustafi. Për Liverpoolin nga minuta e 80-të u aktivizua Xherdan Shaqiri.

“Një ndërhyrje e Xhakës në zonën e rreptësisë ndaj Mohamed Salahut për të ndërprerë aksionin, ishte për t'u vlerësuar lart. Nuk është edhe habi që trajneri Unai Emery duartrokiti atë ndërhyrje sikur skuadra e tij të kishte shënuar gol. Kjo tregon për rëndësinë që pati ndërhyrja. Por nuk ishte vetëm shkëlqimi defensiv i Xhakës që ra në sy. Ishte impresive edhe qetësia e tij me top, ndërsa edhe statistikat e tij të pasimeve ishin për t'u vlerësuar lart. Ishte topi i tij i bukur te Mesut Oezili që nisi aksionin te shënimi i golit të barazimit nga Arsenali. Pasi i ishte kërkuar të luante në krah të majtë të mbrojtjes në javët e fundit, Xhaka qartë se shijoi mundësinë që të kthehet sërish në mesfushë në pozitën e tij të preferuar”, ka shkruar gazeta “The Sun”.

Tifozët e Arsenalit kanë vlerësuar lart Xhakën edhe për veprimin e tij që tregoi pasi që skuadra pranoi gol nga James Milner. Derisa bashkëlojtarët e tij dukeshin të dëshpëruar, Xhaka filloi të inkurajonte ata që të vazhdohej.

Arsenali është në një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje.