Besart Berisha do të mund të luante në Central Coast Mariners
Golashënuesi më i mirë i A-Leagues australiane do të kishte pasur mundësi të luante në Central Coast këtë sezon.
Pasi kishin shënuar më së paku gola në krahasim me skuadrat tjera sezonin e kaluar, Central Coast Mariners ishin në nevojë për një sulmues, duke e kthyer vëmendjen te Besart Berisha.
Golashënuesi më i mirë në histori të A-Leagues australiane u largua nga Melbourne Victory për të shkuar te klubi japonez, Sanfrecce Hiroshima në qershor, por nuk po e gjen veten në mjedisin e ri, edhe pse klubi pozicionohet në vendin e dytë në J-Leaguen japoneze, raporton Sporti në KTV.
Me vetëm pesë ndeshje si zëvendësues, Berisha ende nuk ka shënuar gol në Japoni.
Pasi ka luajtur nën drejtimin e trajnerit të ri të Mariners, Mike Mulvey, në Brisbane Roar, Berisha është kërkuar për një ribashkim me të në Central Coast.
“Ne kemi folur me menaxherët e Berishës dhe ai ka thënë faleminderit për ofertën, do të kthehesha të luaj me Mariners, por kam kontratë në Japoni dhe të shohim se çfarë do të ndodh. Ka qenë futbollist i imi në Brisbane dhe ishte një djalosh fantastik. Nuk i interesonte nëse shënon gola, ai donte të fitojë”, ka deklaruar Mulvey.