Sport

Barça s’di për fitore në “El Clasico” kur Messi mungon

Barcelona, këtë vikend do ta luajë “El Clasicon” e parë prej vitit 2007 pa Lionel Messin në përbërjen startuese, pasi argjentinasi theu dorën në ndeshjen e fundit ndaj Sevillas, ka njoftuar “AS” të martën.

Shkaku i këtij lëndimi, Messi do t'i mungojë Barcelonës për tri javë, por mungesa e tij do të vërehet më së shumti të dielën (16:15), kur Real Madridi do të vizitojë stadiumin “Camp Nou”, transmeton Koha.net.

Për Messin kjo do të jetë hera e tretë që do të mungojë në “El Clasico” prej vitit 2004 kur debutoi me ekipin e parë të Barcelonës. Në vitin 2006, Messi mungoi për herë të parë dhe në këtë ndeshje Barcelona barazoi 1:1.

Një vit më vonë, ai mungoi prap dhe Barça humbi 1:0 në udhëtim. Messi ka luajtur në 38 “El Clasico” dhe Barcelona ka shënuar 17 fitore e ka pësuar 12 herë. Ai ka shënuar 26 gola kundër Real Madridit, kurse në pesë duelet e fundit ka realizuar katër herë.

Prej mungesës së fundit në vitin 2007, Messi është paraqitur në 35 “El Clasico” rresht. Për më tepër këtë herë do të mungojë edhe ylli tjetër botëror, Cristiano Ronaldo. Ai në verë të këtij viti braktisi Realin për të kaluar te Juventusi.