Sport

“Sanchezi i Unitedit është Torresi i ri te Chelsea”

Legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher ka krahasuar formën e dobët të Alexis Sanchezit te Manchester Unitedit me formën që Fernando Torres kishte pasur te Chelsea pas transferimit nga Liverpoolit më 2011.

Sanchezi nuk ka pasur vazhdimësi që nga transferimi i tij në Old Trafford në afatin kalimtar të janarit, duke shënuar vetëm katër gola në 25 paraqitje, transmeton Koha.net.

Forma e tij e dobët ka bërë që Jose Mourinho ta largojë nga ekipi startues në ndeshjet e fundit, dhe ishte titullar në katër prej tetë ndeshjeve të fundit në Premier Ligë.

“Ka një pajtim të gjerë se Alexis Sanchez nuk është më lojtari i njëjtë që kur ishte bashkuar me Unitedin. Megjithatë kjo ka filluar më parë edhe sa ishte pjesë e Arsenalit, më e mira nga ai tashmë ka shkuar. Ai tek Unitedi ashtu siç ishte Fernando Torresi te Chelsea”, është shprehur Carragher në kolumnen e tij për Daily Telegraph.