SOT

Veprat e autorit kosovar të përkthyera në shumë gjuhë të botës

“Loti- det dhimbjesh”, “Pasaporta e dashurisë”, “Lora”, “Vjeshta e dashurisë në Prishtinë”, janë vetëm disa nga titujt e librave të shkrimtarit, Lan Qyqalla. 

Shkrime të shumta të autorit kanë zënë vend edhe në revista të njohura botërore. 

Ka shkruar dhe botuar 17 vepra në shqip, të cilat janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si frëngjisht, anglisht, rumanisht, turqisht, arabisht, kinezisht e të tjera. 

Lan Qyqalla është fitues i disa çmimeve letrare vendore dhe më gjerë. 

Ndër çmimet më të rëndësishme, autori e konsideron konkursin ndërkombëtar për poezi në Torre Meliso të Italisë, i mbajtur para 8 vjetësh, ku ka rrëmbyer vendin e parë. 

“Loti – det dhimbjesh” dhe “Lora” janë titujt e dy librave, që autori ia ka kushtuar gruas së tij të ndjerë. 

Për poetin, të rinjtë e Kosovës duhet të lexojnë më shumë, në mënyrë që vendi të jetë në hap me vendet e tjera të botës sa u përket letërsisë dhe të lexuarit. 

Lan Qyqalla u diplomua në Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Prishtinë. 
Si profesor është përfshirë në organizime vendore dhe ndërkombëtare të letërsisë dhe në festivale poetike. 

Gjithashtu është drejtor në shoqatën e shkrimtarëve “Naim Frashëri”, në Fushë-Kosovë, drejtor i revistës ndërkombëtare “Orfeu”, drejtor i festivalit ndërkombëtar “Malli poetik i Kosovës”, si dhe nënkryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë. 

Ndërsa prej vitit 2017 është anëtar i Akademisë së shkencave e arteve Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork.