Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Studentët e Kosovës përgatiten për kampionatin botëror të hendbollit

Po ushtrojnë gjuajtjet e tyre në drejtim të portës.

Golat që i shënojnë, shpresojnë se do t’i përcjellin edhe pas pak ditëve, kur fillon Botërori i universiteteve në hendboll.

Studentet dhe studentët e Kosovës po zhvillojnë përgatitjet e tyre në sallën “1 Tetori” në prag të Kupës Universitare të Botës në hendboll, e cila këtë vit do të mbahet në Prishtinë.

Është hera e parë që ky kampionat do të mbahet në Kosovë dhe për selektorin e femrave, Agron Shabani, ky është një moment shumë i veçantë, të cilin vajzat e Kosovës do të mundohen ta shfrytëzojnë dhe të arrijnë rezultate sa më të mira, meqë edhe ushtrimet po shkojnë sipas planit.

Për trajnerin Shabani, një problem me të cilin mund të ballafaqohen hendbollistet e Kosovës është përgatitja fizike e tyre, pasi që kanë filluar ushtrimet më vonë se zakonisht dhe primare për të është që lojtaret të mos lëndohen.

Për kapitenen e ekipit të femrave, Luljeta Sopjanin, është hera e parë që merr pjesë në një garë të tillë dhe pret që bashkë me vajzat e tjera të korrin rezultate shumë të mira në këtë kampionat.

Edhe pse ka kohë që është caktuar data kur zhvillohet Kampionati, lista e pjesëmarrësve ende nuk është bërë publike, andaj edhe hendbollistët nuk e dinë se me kë do të përballen, andaj selektori i meshkujve nuk jep ndonjë parashikim sa u përket rezultateve që djemtë do të arrijnë.

Për Qerimin, përparësia e vendasit nuk do të thotë asgjë nëse tribunat nuk janë të mbushura me tifozë, dhe për këtë arsye ai u bën thirrje që të vijnë sa më shumë njerëz dhe ta përkrahin ekipin e studentëve të Kosovës.

E për kapitenin e meshkujve, Alban Hazirin, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe presin që nga ky kampionat të dalin me rezultate pozitive.

Kupa e Universitare e Botës në hendboll do të fillojë të hënën, më 11 korrik, dhe do të përfundojë të dielën e 17 korrikut dhe të gjithë lojtarët e ftuar janë studentë dhe njëkohësisht pjesë e hendbollit kosovar, të cilët do të luftojnë për të arritur sukses në këtë garë të madhe që për herë të parë organizohet në Prishtinë.

Artikuj të ngjashëm