Është ndër instrumentet e pakta që e mbush plot një dhomë me melodinë e saj dhe i vetmi instrument kaq kompleks për nga struktura.
Pianoja është ndër instrumentet e vjetra që zë një vend të rëndësishëm në orkestër.
Në strukturën e brendshme ka shumë pjesë, ku secila e luan rolin e vet për të prodhuar një tingull.
Telat, çekanët dhe tastet duhet të jenë të akorduar në mënyrë që pianoja të tingëllojë saktë.
E përvoja në muzikë e ka rëndësinë e vet për ta akorduar një piano dhe për ta vërejtur se kur është e çakorduar.
Besim Qorri, profesor i lëndës së korrepetimit në Fakultetin e Arteve “Haxhi Zeka” në Pejë, është ndër të paktit që e bën edhe akordimin e pianove si profesion të dytë.
Ndonëse nuk është e obliguar që një profesor i pianos ta bëjë edhe akordimin e saj.
Këtë punë e ka mësuar nga interesimi që kishte qysh në fëmijëri për pianon, dhe tash akordimi i këtij instrumenti është një proces fare i thjeshtë për të.
Qorri tregon se përveç përvojës në muzikë, duhet pasur edhe vesh për ta dëgjuar kur një tingull nuk është ashtu siç duhet.
Procedura për ta akorduar në piano varet edhe nga lloji i saj, por ka raste kur mund të zgjasë në mbi dy orë.
Një gjë pozitive për profesorin Qorri është interesimi që studentët kanë për këtë lëndë dhe instrumentin që ai ua mëson.
Edhe pse nuk është pjesë e planprogramit akordimi i pianos, ata shprehin dëshirë për ta mësuar.
Për dallim nga instrumentet e tjera, për ta akorduar pianon duhen edhe mjete shtesë.
Si pjesët e këtij instrumenti po ashtu edhe mjetet për akordim janë vështirë të gjenden në vend.
Zakonisht u drejtohen vendeve fqinje për t’i gjetur ato.
Derisa pianot e vjetra kishin 85 taste dhe të tjerat më moderne kanë deri në 108, një piano standarde ka gjithsej 88 taste.