Lulet, format e ndryshme gjeometrike dhe ngjyrat e ndezura janë detaje të vathëve që me dorë i punon Arlinda Prenaj – Selitaj.
Që në vegjëli thotë se pasion e kishte të punonte stoli me gjëra që i kishte në shtëpi.
Nuk ka as një vit të plotë prej kur këtë pasion të kamotshëm e ktheu në një aktivitet që ia plotëson përditshmëritë.
Të punuar krejtësisht me dorë, modelet e vathëve nga Arlinda vijnë shpeshherë të inspiruar prej trendëve botërorë.
Nuk e lë pa e shprehur edhe kreativitetin me anë të kombinimit të ngjyrave e detajeve të tjera.
Edhe pse e ka vetëm hobi, qëllim i saj mbetet t’i plotësojë kërkesat e klientëve. Kujdeset që porositë ata t’i marrin ashtu si i kërkojnë.
Interesim për punimet e saj thotë se ka më shumë nga Prishtina e Ferizaj.
Porositë i dërgon me postë, e komentet pozitive nga të tjerët ia shtojnë vullnetin për punë.
Se sa palë vathë i punon brenda një dite varet nga numri i porosive dhe obligimeve të tjera.
Sfidë mbetet sigurimi i mjeteve të punës, pasi që në vend nuk ka të tilla.
Zgjidhjen e gjen në tregjet e vendeve perëndimore, në këtë mënyrë edhe kualiteti i produkteve është i lartë.
Çmimet e vathëve nuk i konsideron të larta, duke e marrë parasysh se edhe mjetet e punës kanë pësuar ngritje të çmimeve.