Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Rritje e madhe çmimesh në tregje

Të blesh një kilogram speca kushton 3.50 euro në tregun e gjelbër në kryeqytet.

Çmimi i pemëve dhe perimeve është rritur, sikurse edhe shumëçka tjetër si pasojë e krizave të ndryshme globale.

Sipas konsumatorëve dhe tregtarëve, çdo ndryshim i çmimit në tregun botëror ndikon në Kosovë.

Hamit Canolli, konsumator i rregullt në tregun e gjelbër, thotë se rritja e çmimeve të pemëve dhe perimeve është shumëfishuar krahasuar nga viti paraprak.

68-vjeçari thotë se shkaku i gjendjes ekonomike, preferon tregun e lirë për blerje dhe jo marketet.

Çmimet e pemëve dhe perimeve, sipas shitësve në treg, nisin nga 50 centë e shkojnë deri në mbi 3 euro për kilogram në produkte të caktuara.

Patriot Maqastena ka 30 vjet që punon në tregun e gjelbër. Thotë se vazhdimisht ka rritje e ulje të çmimeve, por thekson se aktualisht numri i konsumatorëve është zvogëluar shkaku që perimet janë shtrenjtuar.

Rritja e çmimeve ka ndikuar edhe në kuletën e Sejdi Durakut. Ai thotë se vetëm të ardhurat financiare nuk po ndryshojnë.

E Muharrem Kurteshi thotë se tregu i marketeve dallon shumë nga tregu i lirë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, kostoja e perimeve në Kosovë ka shënuar rritje për 6.3% për qind në muajin janar të 2022-s. Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te pemët prej 5.8%.

Inflacioni në Kosovë në muajin janar 2022 ishte 7.1 për qind.

Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Artikuj të ngjashëm