Në rrugën që lidh Prishtinën me Podujevën, mes kodrave dhe maleve, shtrihet fshati i Rimanishtës.
Pavarësisht se është një fshat i vogël, banorët e Rimanishtës vazhdojnë t’i ruajnë dhe t’i kultivojnë zakonet dhe traditat e trashëguara nga brezat e kaluar.
Me rreth 80 shtëpi dhe afërsisht 400 banorë, Rimanishta është një vendbanim i lashtë që, sipas banorëve, ekziston prej shekullit XIV.
Rexha, Musliu, Lahu, Arifi, Mustafa, Syla dhe emra të tjerë janë emërtimet e lagjeve në fshat, të cilat janë trashëguar brez pas brezi nga të parët e këtij vendi.
“Emri i fshatit Rimanishtë rrjedh nga fjala ‘rima’, që, sipas fjalorit, do të thotë lugje. E vërtetë është se fshati rrethohet me lugje-prone. Po ka edhe mendime të tjera. Fshati është i shpërndarë në lagje, secila lagje e ka emrin e të parëve të tyre. P.sh. Rexha, Mustafa, Lahu, Fetahu, Musliu, Arifi, Syla, Balaj. Fshati ka shkollën fillore, ambulancën në qendër të fshatit e një dyqan. Fshati ka mjaft njerëz të shkolluar që nga vitet ‘60-‘70 e deri më sot. Ka gjenerata që kanë dalë juristë, mësues, profesorë, doktorë profesorë. Shumica prej tyre janë në qytet, por prejardhjen e kanë nga ky fshat”, thotë banori Rexhep Rexha.
Vitet e fundit rrugët e fshatit janë asfaltuar, përveç disa rrugicave. Qendra e Mjekësisë Familjare është rinovuar, po ashtu edhe disa pjesë të tjera të fshatit. Megjithatë, kërkesa kryesore e banorëve mbeten ujësjellësi dhe furnizimi me ujë të pijshëm.
“Fshatit i mungon asfaltimi i rrugicave dhe ujësjellësi. Pra, nuk kemi ujë të pijshëm”, shton ai.
Rexha, banor i fshatit, thotë se natyra dhe bujqësia janë thesaret kryesore të Rimanishtës.
Sipas tij, aktualisht ka pasur një rritje të vlerës së tokës, e cila tani arrin deri në 300 euro për hektar.
“Përveç banorëve, me bujqësi merren edhe ata që vijnë vetëm verës këtu, e të cilët banojnë në Prishtinë. Më së shumti këtu mbillen gruri, fasulja, misri dhe pemët. Ka hektarë të shumtë me pemë. Edhe pylltaria është profitabile për banorët. Përpara jo, por tash janë interesuar shumë prej Prishtinës me ble tokë në Rimanishtë. Edhe çmimi është rritur, varësisht prej pozitës së tokës, por 200-300 është ari”, thekson Rexha.
Banorët e Rimanishtës kryesisht kultivojnë drithëra, pemë dhe perime, ndërsa bagëtia përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për shumë familje
“Të merrem më bujqësi kam filluar që nga paslufta. Rreth 25 vjet. Me një traktor kam nis, dhe çdo vit më shumë jam rrit me punimin e tokës. Së pari kam mbjellë grurë, misër, patate, fasule etj. Deri 42 hektarë sivjet i kam mbjellë. Bujqësia është shumë përfituese por ndihmë nga institucionet kemi pak. Qeveria ka shpallur aplikimet, por kushtet janë jo të favorshme për ne. Sepse kërkohet se deri 30 hektarë duhet të jenë me kontratë, ne nuk mundemi me i pasë me kontratë aq shumë. Askush nuk mundet me marrë këtë ndihmë. Kisha dashtë që me na përkrah më shumë që të bëjmë diçka”, thekson bujku Halit Arifi.
Brenga kryesore e banorëve të fshatit mbetet emigrimi i të rinjve drejt qyteteve apo jashtë vendit.