SOT

Rëndësia e mbajtjes së maskës në mënyrë të duhur

Shumica e qytetarëve po mbajnë maska. Disa i vendosin siç duhet apo të tjerë edhe gabimisht, pavarësisht se mbajtja e tyre është obligative.

Kjo ka bërë që në barnatore të ketë rritje të kërkesës për to.

Po ashtu, ka lloje të ndryshme maskash që shiten aty.

Ndërkaq, për mbikëqyrjen e vendosjes së maskave janë angazhuar edhe zyrtarët policorë.

Inspektimet po bëhen në shumicën e rrugëve në kryeqytet sikurse në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sergy Koryak, zyrtar ndërlidhës i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se imponimi i maskave te qytetarët është vendim i duhur.

“Mendoj se në këtë situatë është vendim i duhur pasi që kjo është mënyra e vetme që t’i shtyjmë njerëzit t’i përdorin maskat e ta mbrojnë veten. Përsëri po them në këtë gjendje s’kemi zgjidhje të shumta. E po vendimi është në kohë dhe është mënyra e vetme për të ecur përpara”, ka deklaruar Koryak.

Koryaku thotë se është dëshmuar se shkalla e infektimit bie afërsisht 40 për qind me vendosjen e maskave.

Por, këshillon që virusi të merret seriozisht dhe maskat të mbahen siç duhet.

“E problemi është që nëse i shikon rrugëve mënyrën sesi njerëzit po i vendosin maskat… nganjëherë po e mbulojnë hundën ose e vendosin kështu, e s’është mirë pasi që mund ta përhapni virusin dhe mund t’i rrisni gjasat që e merrni atë nga të tjerët”.

Koment të ngjashëm ai ka edhe lidhur maskat e vogla jashtë standardeve mbrojtëse, që nuk mbulojnë edhe hundën dhe gojën.

“Nëse maska mbulon vetëm pjesërisht hundën apo gojën nuk e ofron mbrojtjen e plotë. Është më mirë të mos e përdorësh pasi që krijon ndjenjë të rreme të sigurisë. Mendon se je i mbrojtur, por në fakt nuk je. E gjithë hunda e goja duhet të jenë të mbuluara dhe hapje të tilla në maskë nuk duhet të ketë, sepse nëse merr frymë nga këtu mund ta marrësh virusin nga dikush që teshtin apo kollitet afër teje në mjete të transportit publik—ndërsa ti mendon se je i mbrojtur pra është më mirë të mos e përdorësh”.

Koryak flet edhe për mënyrën e përdorimit të maskave dhe llojet e tyre.

“Është më mirë të përdorësh maska të reja për çdo ditë, nëse është e përballueshme, sepse për disa njerëz mund të jetë e kushtueshme. E nëse është vetëm mundohuni të qëndroni larg të tjerëve, të mos ekspozoheni shumë në turma. Këto janë të vetmet masa mbrojtëse që i kemi”, ka shtuar tutje.

“Me siguri i keni parë maskat me filtra, e kanë një filtër në këtë pjesë. Mund të merrni frymë e është maskë mjaft e sofistikuar. Një lloj tjetër është maska kirurgjike, nëse e keni parasysh kirurgun që bën operacion, është maskë me disa shtresa e po ashtu ofron mbrojtje të mirë. E kjo maskë që e kemi të vendosur unë e ti është një version i lehtë i maskave mjekësore.”

Koryak thotë se maskat bashkë me distancimin social dhe higjienën e duarve vazhdojnë të jenë të domosdoshme në kohën kur nuk është zbuluar e shpërndarë vaksina kundër COVID-19.