Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Qendra që i bën bashkë gratë amvise të Miloshevës

Dikur nuk njihnin njëra-tjetrën, edhe pse janë nga i njëjti fshat, por tash e 10 vjet për çdo javë këto gra i bashkon i njëjti vend.

“Shtëpia e Shpresës” është qendra ku gratë amvise nga fshati Milloshevë mbajnë takimin e përjavshëm nga ku punojnë gjëra të ndryshme punëdore, por edhe shoqërohen mes vete.

Hafije Mjeku pos obligimeve që ka në shtëpi, për tash e sa vjet rutinë i është bërë edhe ardhja e saj në mesin e këtyre grave.

“Herën e parë isha te një kushërirë dhe ajo më njoftoi për këtë takim të grave që kishte nisur para 2 vjetësh, kur shkova në shtëpi bisedova me familjarët dhe vendosa të vij në këtë takim, ku qëndisim shumëçka, e tash e 10 vjet kalojmë shumë mirë së bashku”, tregon ajo.

Ato prodhojnë çanta, shalle, kapela, çorape e aksesorë të ndryshëm me grep, e që më pas i shesin, ku një pjesë e të ardhurave përdoren për mbështetjen e tyre, e pjesa tjetër për mbarëvajtjen e takimit nga ku blihen edhe materialet e nevojshme për punim.

“Kam qenë në klasë të dytë kur mësuesja ime kishte kërkuar nga nëna ime për t’ia punuar disa çorape, por unë ia punova dhe ishte habitur për talentin tim në punë-dore”, thotë Mjeku.

Aktiviteti e shoqëria mes tyre ka tërhequr edhe Radifete Zekën, e cila vjen nga një fshat tjetër i afërm.

“Jam amvise nga fshati Breznicë, atje kemi pasur aktivitete më përpara, kam kryer edhe kurs rrobaqepësie, sepse më pëlqen kjo punë. Më pas u njoftova për këtë takim dhe vendosa të vij këtu, ky është më shumë aktivitet që të bëhemi bashkë dhe të shoqërohemi”, thotë ajo.

Mes punës, ajo thotë se, tashmë njohin mjaft mirë njëra-tjetrën, e që shpeshherë ndajnë edhe çështjet familjare mes vete.

“Merremi vesh me njëra-tjetrën se çfarë po punojmë, na ka mbetur një dashni e përbashkët dhe mezi pres të vij t’i takoj shoqet”, shton Zeka.

Ardiana Krasniqi është një tjetër vullnetare, e cila udhëton nga Vushtrria për të qenë pjesë e takimit të grave.

“Janë ndarë shumë të kënaqura gratë deri tani, shitjet i kemi filluar edhe online, por takimi i grave nuk e ka qëllim vetëm shitjen e produkteve, por si fillim ka nisur që me i angazhu gratë e Milloshevës me kriju shoqëri dhe më pas me u shpërbly për punën që e bëjnë”, tregon Krasniqi.

Pos grave, kjo qendër me vite ka mbajtur edhe aktivitete për fëmijë, pjesë e tyre ishte edhe 21-vjeçarja Lirie Ibrahimi, e që tashmë është drejtuese e takimit që mbajnë gratë.

“Takimi i grave është duke u mbajtur tash e 10 vjet, në fillim ka qenë ideja me siguru një vend për gratë me u socializu bashkë e më pas edhe me punu, shumica prej tyre janë nga fillimi i takimit më parë kemi pasur më shumë gra, por tani shkaku i pandemisë nuk po vijnë edhe aq”, thotë Ibrahimi.

Pos takimit të grave, qendra “Shtëpia e Shpresës” organizon po ashtu seminare, ekskursione e panaire të ndryshme, ku mundësi përfshirjeje u jepet edhe grave të fshatrave përreth Milloshevës.

Artikuj të ngjashëm