SOT

Qendra për trajtim të përkohshëm të qenve endacakë

Në fshatin Muhovc të Ferizajt gjendet tregu i kafshëve, ku bujqit e blegtorët e Ferizajt dhe rrethinës i shesin produktet dhe bagëtitë e tyre.

Hapësira e cila ka shërbyer për shitjen e tyre, deri më tani ka qenë në kushte jo të mira dhe e mbushur me mbeturina.

Për këtë arsye, Drejtoria e bujqësisë në këtë komunë tani më e ka filluar implementimin e projektit për ta kthyer këtë hapësirë në një treg për kafshë që i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme.

Punimet për rregullimin e tregut të kafshëve ka disa muaj që kanë filluar. Në bazë të planit jo më larg se dy vjet aty do të ketë vend për lloje të ndryshme të kafshëve që do të tregtohen, si: kuaj, dema, lopë e pula.

Objekti ku më parë tregtarët e kanë shfrytëzuar për pushim, me anë të këtij projekti do të shndërrohet në qendër të trajtimit të qenve të rrugës.

Ndër të tjera, duke i marrë parasysh kushtet që do t’i ofrojë ky vend është edhe një mundësi e mirë për punësim, meqenëse do të ketë nevojë për mbikëqyrje e përkujdesje, tregon Burim Bajrami, drejtor i bujqësisë në Komunën e Ferizajt.

Realizimi i këtij projekti pritet që të jetë në të mirë edhe të qyteteve të tjera rreth Ferizajt, meqenëse tregun e kafshëve aty e kanë shfrytëzuar bujqit nga Gjilani, Shtimja e Lipjani.