SOT

Punime dore të të mbijetuarave të dhunës

Ky shtand në sheshin “Zahir Pajaziti” po e tërheq vëmendjen e kalimtarëve.

Çanta e xherxhefë të qëndisur që po ekspozohen këtu janë të punuara nga gratë e mbijetuara të dhunës.

Mundësia e aftësimit në këtë veprimtari u është ofruar nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Me mbështetjen e Zyrës së Presidentes që nga qershori i këtij viti e deri më tani një numër i konsiderueshëm i produkteve janë finalizuar.

Përpos përfitimit material, kësi lloj aktivitetesh ndihmojnë gratë e strehuara në këtë qendër edhe të kalojnë kohë më kualitative e të mos i mendojnë problemet e së kaluarës.

Në fillim, tregon drejtoresha e qendrës, Zana Asllani, marrë parasysh edhe gjendjen e tyre, nuk kishin edhe aq shumë interesim.

Mirëpo me të parë se si zhvillohet puna dhe kënaqësia që ofron ky aktivitet interesimi u rrit.

Nuk janë të rralla rastet kur edhe pas largimit nga qendra dhe vazhdimi i jetës jashtë, gratë kanë filluar bizneset e veta si rrjedhojë e aftësimit që kanë marrë nga aty.

Edhe kushtet brenda qendrës dhe ngrohtësia që u ofrohet aty është reflektuar në dizajnet dhe mënyra se si janë punuar këto produkte.

Bashkëpunimi i Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve me institucionet e bën punën aty më efikase dhe të strehuarave u ofron sigurinë maksimale.