SOT

Krijuesit e deponive ilegale ankohen se nuk po kanë ku t’i hedhin mbeturinat

Problemi me deponi ilegale në Prishtinë po vazhdon të jetë aktual. Sado që institucionet përgjegjëse po promovojnë pastrimin e tyre, ato po krijohen cdo herë e më shumë. Vet punëtorët të cilët përmes kamionëve të tyre privat po i hedhin krijoj në këto deponi, po ankohen se nuk ka vende adekuate ku mund t’i hedhin ato. Përderisa, këtë punë ata thonë se e kanë për mbijetesë.

Prishtina është mbushur me deponi ilegale, të cilat po vazhdojnë të krijohen çdo ditë në pjesë të ndryshme. 

Janë mbeturinat inerte, vëllimore e ato ndërtimore të cilat në vazhdimësi hidhen në hapësira e pjesë të gjelbra të kryeqytetit. 

Mungesa e një deponie për materiale të tilla, i shtyn qytetarët dhe kompanitë ndërtimore që t’i hedhin ato ku të munden. 

Punëtorë të shumtë, të cilët me kamionë të tyre shkojnë privatisht nëpër shtëpi për mbledhjen e mbeturinave, ankohen se nuk kanë ku t’i hedhin ato.

Nazmi Hasani, thotë se ata janë në dijeni që po bëjnë kundërvajtje, mirëpo, detyrohen të punojnë për mbijetesë. 

“Nuk ka person që punon këtu e që nuk ka paguar dënim. I vetmi burim i jetës është kjo. Krejt komunat kanë deponi veç Prishtina nuk ka një deponi për këto materiale. Të vetmin burim të jetesës e kam këtë, s’kam as rrogë, as pension, as social. Me diçka duhet të mbes gjallë. Si të më vije inspeksioni përmes unë duhet ta lë kamionin e ngarkuar 24 orë deri të gjej një vend ta gjuaj diku përndryshe vetëm të mos dalë të punojë hiq. Ne nuk po i kërkojmë as lëmoshë as asgjë, vetëm ta bëni një deponi. Ai person që ka nevojë me hedh materiale të tilla ai ka me thirr dikë”, thekson Hasani.

Sipas tij, ata më shumë marrin dënime sesa që fitojnë nga kjo punë. 

“Të gjithë këtu bëjnë renovime. Edhe kryetari nëse rinovon diçka në shtëpi të tij ne duhet të shkojmë dhe të ia largojmë. Pastaj vjen inspeksioni prapa dhe vjen dënimi 300-400 euro. Duhet të punomë 2 muaj të paguajmë atë dënim e ku është fitim jonë? Ne paguajmë taksa, paguajmë sigurim edhe ne jemi qytetarë të Prishtinës. Ne jemi më të pashkelurit edhe më të padrejtit në Prishtinë. Krejt komunat e kanë nga një deponi. Kryetari mundet me e bë një zgjidhje. Por ne për 20 euro punë i paguajmë 300-400 euro”, deklaron Hasani. 

Kërkesë për krijimin e një deponie të veçantë për këto mbeturina ka edhe qytetari Arsim Maqedonci. 

“Ne me këto mbesim gjallë, nuk është që ka punë aq shumë, aq sa me mbet gjallë. I kishim bë thirrje komunës dhe ministrisë së ambientin të na bëjnë një vend se ku mundemi me i hedhë mbeturinat se kështu nuk po e ndiejmë vetën mirë, kemi probleme me fqinj. Në disa vende kur i kam hedh kam pas probleme me qytetarët sa nuk jemi rreh. As nuk jemi me i qitë në rrugë, por kur nuk ki se ku ne po duhet se me qeto po mbesim gjallë. Ne i përmbahemi çka do që është me ligj dhe jemi për të paguar”, deklaron Maqedonci. 

E Ekrem Vitija thekson se vetëm Prishtina nuk ka vend për hedhje të mbeturinave inerte. 

“Të tjerat komuna i kanë. E bën me pagesë dhe është më e lehtë. Vetëm i ngarkojmë e i dërgojmë aty ku duhet dhe as nuk duhet të mendojmë se ku ta gjuajmë, në përrua, ara apo diku tjetër. Po bëjmë apel të na bëjnë zgjidhje. Ne jemi një shtresë që ka nevojë të na bëhet një zgjidhje. Të ardhurat i kemi vetëm prej këtu. Dënimet janë të shpeshta. Sa herë të punojmë përballemi me qytetarë, polici, inspeksion. Na duhet t’i gjuajmë diku. Edhe komuna nëse na thirrin, na paguajnë ne shkojmë i marrim dhe i gjuajmë diku”, deklaron Vitija. 

Ai pranon që nuk ka biznes të hapur. 

“Regjistrim të biznesit nuk kemi se e kemi vetëm nga një biznes të vogël punojmë vetëm për familje dhe mezi po ja dalim. Qe dënimi që e kam paguar 372 euro. 350 që më kanë dënuar. S’kam qare pa i paguar se duhet me e regjistrua kamionin”, deklaron Vitija. 

Por drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se këta transportues janë duke bërë kundërvajtje prandaj duhet të vazhdohet dënimi i tyre.

“Sa i përket transportuesve që bëjnë transportimin e mbeturinave vëllimore dhe inerte dhe që fatkeqësisht të gjitha këto pastaj përfundojnë në hapësira që po krijohen si deponi ilegale, janë veprimtari ilegale dhe të gjitha këto do të duhej të ndiqeshin dhe dënoheshin. Të gjithë këta transportues janë duke operuar pa marrë licencë ambientale për ta kryer këtë veprimtari. Jo vetëm në momentin që ata i hedhin, por edhe puna e tyre është kundërvajtje”, thekson Brestovci. 

Sipas tij, kryeqyteti ka ofruar zgjidhje për mbeturinat inerte dhe ato vëllimore, përderisa për ato ndërtimore ende nuk kanë një vend të posaçëm. 

“Në fakt kryeqyteti ka ofruar një mundësi të mirë për hedhjen e mbeturinave inerte dhe vëllimore që nga shtatori i këtij viti duke caktuar 101 lokacione. Krejt kryeqyteti është ndarë në pesë zona dhe një ditë të javës në një të caktuar vendosën kontejnerët për mbetjet vëllimore dhe po të njëjtën ditën vendosën mbeturinat për hedhjen e mbeturinave inerte dhe kjo përsëritet një javë më vonë për vëllimore dhe javën tjetër përsëri për ato inerte. Përveç kësaj qytetarët tani mund ta thërrasin edhe kompaninë që kryen këtë obligim ose drejtpërsëdrejti në komunë në sektorin për menaxhimin e mbeturinave nëse atyre iu duhet një kontejner jashtë ditës kur është e përcaktuar mund ta bëjnë porosinë e kontejnerit në lokacionin e kërkuar. Ky shërbim ka një kosto të ulët që është 9.5 euro për metër kub”, deklaron Brestovci. 

Por për këtë gjë, vetë transportuesit thonë se nuk po mjaftojnë kontejnerët, pasi numri i tyre është tejet i vogël nëpër lagjet e fshatrat e Prishtinës. Për vitin e ardhshëm, Prishtina synon të ketë një vend adekuat edhe për mbeturinat ndërtimore.