SOT

Kërkesa të shumta për defatore dhe valltare

Këto janë defatoret e grupit “Shqiponjat e Karadakut”. Prezenca e tyre, por edhe e vallëtareve e ndez atmosferën te dasmorët.

Ato e kanë nisur vrullshëm sezonin, me shumë kërkesa për pjesëmarrje në ahengje të ndryshme.

“Shqiponjat e Karadakut” janë të kërkuara sidomos nga mërgimtarët.

Kjo është Mimoza Shabani-Bejta, themeluese e grupit. Ka 19 vjet që e ushtron vallëzimin tradicional.

“Që nga viti 2003 jam anëtarësuar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Janë bërë 19 vjet që unë e ushtroj vallëzimin dhe së fundi duke marrë parasysh interesimin e dasmorëve që të kenë në dasmat e tyre valltare dhe defatore, kemi bashkëpunuar që ta formojmë grupin “Shqiponjat e Karadakut”, tha Shabani-Bejta.

Ajo tregon se u përshtatet kërkesave të dasmorëve sa u përket veshjeve e valleve popullore.

“Varësisht nga kërkesa e dasmorëve, ne vishemi edhe me dimi dhe veshje të tjera tradicionale duke e përfshirë edhe ceremoninë e kënasë për kanagjegj. Sezoni është i ngarkuar, dasmat kanë filluar qysh nga muaji qershor, kemi filluar me organizime të ndryshme, deri në fund të muajit gusht ka shumë kërkesa. Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë diasporën, sepse dasmat i bëjnë të veçanta, i vlerësojnë shumë traditat tona të vjetra, duke përfshirë valle, tupanë, këngë e defe”, shtoi ajo.

Atë që e mësoi dhe e praktikoi me vite, tash po ua përcjell vajzave të reja.

“Grupi i vajzave ka startuar qysh nga kjo verë në bashkëpunim edhe me defatoret. Aktualisht kemi 20 vajza, i mirëpresim akoma më shumë që të na bashkëngjiten. Sivjet ka shumë kërkesa për pjesën tradicionale, kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet që është themeluar grupi. Unë më shumë u kam dhënë prioritet vajzave për t’i vazhduar traditat e zakonet qysh i kem pasur më herët për të mos i harruar”, theksoi ajo.

Shabani-Bejta thotë se për të dasmat tradicionale janë më të veçanta. Shpreson të mos harrohen traditat.

“Çdo dasmë, fejesë apo aheng tjetër duket më mirë me veshje tradicionale, me vallet tonat tradicionale, me këngë dhe zakone tradicionale, besoj që nuk do të harrohen këto tradita’, u shprej Shabani-Bejta.

Flutra Azemi është këngëtare dhe defatore. Tregon se pasioni për këndimin me def i ka lindur që e vogël dhe e ka të trashëguar nga nëna.

“Studioj letërsinë shqipe, perveç kësaj hobi i kam këndimin dhe vallëzimin. Qe 4 vjet merrem me këndim, shkoj në dasma, kanagjegje dhe ahengje të ndryshme. Këndimin e kam trashëgim nga mami, sepse edhe ajo ka kënduar nëpër dasma. Nuk është edhe e lehtë puna jonë, pasi që shpeshherë ndihemi në siklet kur në ahengje dasmorët nuk i kanë prindërit, kjo na bën të ndihemi më të ndrojtur pasi që të gjitha këngët tona lidhen me prindërit, motrën vëllain. Por ka edhe situate të mira, sepse gëzim më të madh se dasmat nuk besoj që ka”, tha Flutura Azemi.

Ajo thekson se defet janë duke u kërkuar gjithnjë e më shumë nëpër dasma.

“Varësisht nga dasma varet se sa kemi me këndu, këngët zakonisht nuk i përcaktojmë, këndimi zgjat diku 1 orë. Në rritje është kërkesa e këndimit me defe nëpër dasma sivjet, shumicën i kemi diasporë, sepse ata janë më qejflinj”, deklaroi ajo.

Albiona Syjlemani po ashtu këndon me def. Edhe ajo e ka të trashëguar këndimin.

“Me këndim e defe merrem qe 4 vjet. Së fundi jemi duke bashkëpunuar me grupin e vallëtareve ‘Shqiponjat e Karadakut’. Sivjet kemi shumë kërkesa nëpër dasma, kërkesat janë të ndryshme për valltare, defatore, ceremonia e kënasë e shumë të tjera. Që e vogël kam qenë valltare në ansamblin “Anamorava” në Viti, gjithmonë i kemi dashtë dhe jemi rritur me tradita dhe na ka lindur ideja duke i parë defatoret nëpër dasma dhe kërkesat nga dasmorët dhe kemi filluar edhe ne me këndu me defe nëpër dasmë”, pohoi Sylejmani.

Për të, atmosfera në dasma ndryshon kur ka valle e këngë popullore në sfond.

“Traditat janë pjesë e jona dhe duhet t’i ruajmë, sepse dasmat bëhen më të veçanta. Defi, këngët dhe vallet popullore u japin një atmosferë më të veçantë dasmave. Traditat variojnë nga vendi, Kosova e bën më së miri, pra e kallin dasmën”, tha ajo.

Tradicionalja po kthehet, të paktën kështu thonë “Shqiponjat” e Karadakut.