Kënga “Lule mbi banka”, që ka për subjekt nxënësit që mungojnë në shkollë, interpretuar nga Shyhrete Behluli, vazhdon të dëgjohet edhe sot e asaj dite, si kujtim për fëmijët që vdiqën në luftën e fundit, 22 vjet më parë.
Afërsinë me Kosovën e ka shkrirë në vargje edhe një britanik, që në Kosovë shërbeu si ushtar i forcave paqeruajtëse të KFORIT, të cilat intervenuan për çlirimin final të vendit. Ndjenjat që ia fali Kosova dhe njerëzit e saj James Blunt i këngëzoi në vargje të mbushura me tone dhimbjeje e mërzie për ngjarjen famëkeqe.
“Shtëpi të shkatërruara nga djegia,
aromë vdekjeje në ajër,
një grua që qan e pa pikë shprese thotë:
‘Ai ka qenë këtu!’
Është radha e familjes tjetër të vdesë,
një fëmijë që ka frikë edhe të dënesë.”
Kjo është një copë nga kënga “No bravery” e Bluntit, i cili kishte mbajtur një video-ditar gjatë shërbimit ushtarak në Kosovë, vend për të cilin foli prapë pas disa vjetësh.
“Është e trishtë kur sheh vende të përfshira nga dhuna e madhe, që shfaq anën më të shëmtuar të njerëzimit. Të shkosh në këto vende për t’ia kujtuar vetes se sa me fat je.”
“Derisa nënat humbin fëmijët nëpër luftëra, jam i uritur e kam të ftohtë, nuk kam kë ta përqafoj, nëna dhe babai kanë vdekur... Ku e kam vendin unë..? – është një pjesëz nga kënga “Fëmijët e Kosovës”, kënduar nga “The Kelly Family.”
Teksti, ndër të tjerash, bën thirrje për ndihmë fëmijëve që po vdisnin nëpër zona lufte.
Në Kosovë janë mbi 1 mijë fëmijë të vrarë e të zhdukur.