SOT

Kadaifi karakteristik për fundvit

Ambienti me rregullim oriental e karakterizon këtë lokal të kryeqytetit. Atë e ka përzgjedhur Bajram Kazagiqi që e ka hapur atë bashkë me Saner Diken, që ka ardhur së fundi nga Turqia. Derisa Kazagiqi e ka përzgjedhur enterierin, Diken është përkujdesur që t’ia sjellë tregut të ëmbëlsirave edhe kadaifin e veçantë që e quan kynefe.

“E kisha një të afërm në afërsi të lokalit, ku më tregoi se kishin ardhur disa njerëz nga Turqia dhe se duan të punojnë në Kosovë konkretisht në Prishtinë. U njoha me ta, erdha në këtë lokal. Ishte krejt i boshatisur dhe fillova t’i propozoja disa ide lidhur me enterierin dhe se çfarë (biznesi) do të mund të hapnim këtu”, tregon Bahram Kazagiqi.

Në fillim enët e metalta lyhen me gjalpë. Më pas vendoset e shtypet mirë shtresa e kadaifit. Në mes të saj vendoset djathë ose me fëstëk. Ena e metaltë vendoset në zjarr mesatar dhe goditet vazhdimisht në mënyrë që të mos ngjitet. Si ëmbëlsirave të shumta që vijnë nga Lindja e Afërme, asaj i shtohet sherbeti, që për këtë recetë është i ftohtë.

Në fund shërbehet me akullore, fruta dhe qumësht.

“E ka edhe një aromë të veçantë që vërehet në momentin kur fillojmë ta përcjellim më pemë. Mirëpo ndonjëherë pema nuk është e mjaftueshme na duhet qumështi. Preferohet që kah mesi i porcionit ta shijosh me qumësht sepse e zbut edhe lukthin”, tregon ai.


Sipas Kazagiqit, kynefeja e lokalit ka marrë vlerësime të mira edhe nga persona që të njëjtën ëmbëlsirë e kanë shijuar në Turqi e Jordani.