SOT

Hekurudha ruan peshoren e vitit 1874, që maste vagonët

Mjete kryesisht mekanike, por që kryenin një funksion të madh për transportin hekurudhor. Në një dhomë të vogël brenda stacionit të Fushë Kosovës i quajtur “Muzeu i Hekurudhave” gjenden pajisje të vjetra me anë të të cilave kanë funksionuar trenat e parë në Kosovë.

Krijimi i këtij muzeu u bë në vitin 2006, me idenë e punëtorëve të vjetër të hekurudhave.

Peshorja që maste vagonët deri në 30 tonë është pajisja më e vjetër që daton që nga viti 1874, atëherë kur ka qarkulluar edhe treni i parë brenda vendit.

Ajo ngjall interesim të madh nga vizitorët e huaj, të cilët kërkojnë edhe ta blejnë atë.

“Peshorja e parë është marrë në stacionin e Kaçanikut është viteve 1874 atëherë kur është lëshuar treni në funksion dhe ka shërbyer për matjen e vagave dhe ka shërbyer për matjen deri në 30 tonë, që për kohën ishte e prodhimit gjerman. Vizitorët e huaj shprehin interesim të madh për ta blerë këtë”, ka treguar Sabit Thaçi, drejtor i departamentit hekurudhor.

Sabit Thaçi i cili është punëtor i vjetër i hekurudhave, e njëkohësisht edhe kryen funksionin e ciceronit në këtë stacion, tregon për periudhën kur janë ndërtuar linjat e para hekurudhore.

“Treni i parë në hekurudhat e Kosovës ka qarkulluar në vitin 1874 kur Perandoria Osmane kishte projektin e ashtuquajtur ‘Transversalja e Gjelbër’ që nënkuptonte nga Shkupi të lidhej deri me Sarajevën. Linja e parë është Shkup-Mitrovicë, hekurudhat në atë kohë kanë qenë të barabarta me ato të Evropës. Pastaj i kemi linjat e tjera që më nuk ndërtohen deri në vitet 1900, respektivisht në vitin 1936-37 fillon linja për Pejë, pastaj bëhet edhe linja për t’u lidhur me lidhjen me Krajlevën. Së fundi, Fushë Kosovë-Prishtinë dhe Podujevë dhe e fundi Klinë-Prizren. Prishtinë Fushë Kosovë në vitin 1987 nga aty deri tash, stacioni i Fushë-Kosovës i ka shërbyer edhe Prishtinës”, ka thënë ai.

Kjo ishte periudha kur Ferizaj ishte bërë qytet industrial.

“Ferizajn qytet industrial e kanë bërë hekurudhat, Ferizaj derë atëherë ka qenë një fshat”, ka deklaruar Thaçi.

E gjithë rruga hekurudhore është ndërtuar nga punëtorë krahu, që ishin shqiptarë.

Thaçi tregon edhe për eksponate të tjera të cilat i ruajnë.

“Këtu kemi një makinë të vjetër llogaritëse, e cila është tërësisht mekanike. Kjo është një pajisje e vogël që matë dëmtimin e shinave. Kjo ka qenë mekanike por kanë shërbyer jashtëzakonisht mirë. Tani kemi pajise më të sofistikuara. Ndërsa këto pajisje janë për komunikim. Telefoni që ka shërbyer për testimin e linjave telefonike, ishe me tela. Telefon lokal i viteve 40. Janë telefona të vjetër dhe këtu kemi teleprinterin. Informata e parë e shkruar në distanca është teleprinteri dhe telefaksi. Telefonia ishte me shtylla elektrike dhe ato mund të dëmtoheshin dhe për të mos mbetur hekurudha pa komunikim dhe i kanë përdorur radiolidhjet për komunikim dhe kërkim të ndihmës. Ndërsa përgjatë gjithë historisë së hekurudhave janë përdorur edhe kutitë e incizimit, të cilat shërbejnë për të regjistruar të gjitha bisedat që shfrytëzohen për ta siguruar rrugën e udhëtimit. Është obligative të kenë kuti të tillë të gjithë trenat”, ka përshkruar Thaçi.

Me largimin e këtyre pajisjeve mekanike, tani në hekurudhat e Kosovës përdoren mjetet e sofistikuara dhe të teknologjisë kohore.