SOT

Gruaja që hapi fabrikë këpucësh në Pejë

Është shumë e zonja në biznesin e saj. Ekonomistja Ajshen Banjska-Kastrati, e cila në vitin 2008 pa paralajmërim u largua nga puna, vendosi që të bënte diçka për veten dhe familjen.

Prodhimi i këpucëve për Ajshenën ishte një kapitull i ri në jetën e saj, ku gjatë rrugëtimit sukseset nuk kishin të ndalur.

Pas shumë vështirësive që edhe tani thotë se po e përcjellin, ajo ka arritur ta menaxhojë biznesin e saj, të cilin e ka në qytetin e Pejës.

Ekonomistja, nënë e dy fëmijëve, e emërtoi brendin e ri të këpucëve në emër të vajzës së saj “Rigga”.

“Në vitin 2008, në momentin kur u shkëputa nga puna pa paralajmërim në një bankë, më lindi ideja me hapë një biznes. Biznesi ka të bëjë me prodhimin e këpucëve e që familja e burrit në këtë biznes ishin gjenerata e 4, por që biznesin e kishin të mbyllur si pasojë e luftës dhe gjendjes ekonomike. Si ekonomiste e pashë të nevojshme që të nisi prodhimin e këpucëve, pse jo ta trashëgojmë biznesin familjar. E kam menduar dhe e mendoj që është një thesar shumë i madh”, thotë Ajshen Banjska-Kastrati.

Gjetja e punëtorëve që e njohin këtë zanat të këpucëve ishte dhe vazhdon të jetë një problem i madh për Ajshenën.

“Në fillimet e mia e kam pasë shumë vështirë, sepse gjendja ekonomike ishte e vogël, por ajo që më ka mbajtur ishte se nuk bëhesh i madh pa qenë i vogël. Me mbështetjen e bashkëshortit dhe familjes, bashkëpunimi me ta më ka shtyrë drejt suksesit. Gjithmonë e kam imagjinuar veten me punët administrative të biznesit, por prodhimi më këpucë kishte dhe sfidat e veta si nga ana financiare, e makinerisë edhe e fuqisë punëtore e këtë të fundit e kemi problem edhe tani, sepse nuk janë të kualifikuar për ketë drejtim”, shton ajo.

Ajo thotë se nuk u dorëzua asnjëherë për të arritur qëllimin e saj.

“Paragjykimet kanë ekzistuar, po ekzistojnë, ndoshta kanë me ekzistuar gjithmonë, por për çdo person që ka ambicie, është i guximshëm dhe ka mbështetjen e familjes, është mirë me e provu çka ata mendojnë që është më e mira për ta duke i anashkaluar paragjykimet. Paragjykimet janë si që ti nuk mundesh me ia dalë, është shumë e vështirë, ku po imagjinon aq larg. Por unë kam filluar nga një podrum i vogël që ka qenë i kunatit tim dhe jemi sot ku jemi nuk, janë arritjet që unë i kam menduar, por kam aspirata më të mëdha”.

Këpucët që prodhohen në punëtorinë e Ajshenës janë vetëm për gra. Çmimi varion nga 10 deri në 15 euro.

Ish-punëtorja e bankës synon që produktet e saj t’i shesë edhe jashtë kufijve.

“Momentalisht jem 7 punëtorë, kryesisht kam dëshirë që ta rris numrin e femrave, sepse janë shumë ma precize, ma punëtore. Lëndën e parë e marrim kryesisht nga Turqia, ndërsa dizajnin e të tjerat i bëjmë vetë, pra gjithçka është brenda fabrikës. Procesi i prodhimit të këpucëve shkon nga dizajni, pastaj brisqet, prerja e këpucës shkon në procesin e qepjes e deri te procesi i prodhimit dhe finalizimit. Produktet tona i shesim kryesisht në të gjithë territorin e Kosovës, në dyqane e markete të ndryshme. Produktet tona vlerësohen mjaft mirë në treg. Synimet e mia janë të zgjerohemi edhe në rajon, si dhe më gjerë”, pohoi ajo.

Atifete Qetinaj, punëtore në këtë fabrikë, thotë se gratë duhet të punësohen në mënyrë që të bëhen të pavarura.

“Punoj në këtë fabrikë rreth 1 vit, e falënderoj drejtoreshën që na ka mundësuar për me punu edhe ne si gra në këtë fabrikë. Është shumë punë e lehtë, unë merrem me qepje më shumë, por i punoj edhe të tjerat. Unë si femër ia kisha sugjeruar çdo femre pa marrë parasysh që na i kemi në vendin tonë që t’ia fillojnë punës dhe të ecim para. Kjo punë që e bëj nuk është e vështirë, vetëm kërkon kujdes dhe përkushtim”, u shpreh Qetinaj.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, mbi 30 mijë biznese janë të regjistruara me pronare gra, nga rreth 170 mijë biznese të regjistruara në nivel vendi. Bizneset e grave janë kryesisht në sektorin e tregtisë me pakicë dhe shumicë.