Valbona Ajeti, kultivuese e perimeve në Viti, thotë se rritja e çmimeve mund ta dëmtojë biznesin e saj.
Ajo me kultivim dhe konservim të perimeve e ka mbajtur familjen për 15 vjet. Thotë se produktet e saja eksportohen edhe jashtë vendit.
“Punojmë 12 gra dhe prodhimet që ne i kemi këtu në panair janë të gjitha cilësore. Këto produkte i eksportojmë edhe jashtë vendit. Rritja e çmimeve ka ndikuar tek ne, por ne nuk i kemi rritur çmimet e produkteve tona”.
Panairi ka për qëllim promovimin e grave në zona rurale dhe 12 sosh ekspozuan produktet e tyre.
Mjedisi kosovar nuk është aq i lehtë për gratë, thonë ato.
Dredhëzat janë vetëm një prej produkteve që solli Kimete Buzhala, e cila sqaron se biznesi i saj përmban produkte cilësore.
“Punojmë familjarisht, kemi dredhëzën e malit, dredhëzën e kultivuar, mjedër, thana, gdhija etj. Të gjitha janë produkte cilësore, i eksportojmë edhe në Gjermani. Fitojmë, sepse me këto jetojmë verës, kur është sezoni kemi edhe punëtorë”.
Më shumë subvencione ka premtuar Blerim Hasani, sekretar i Ministrisë së Bujqësisë, derisa bashkë me nënkryetaren e Prishtinës, Donjeta Sahtaçiu, premtuan më shumë përkrahje.
“Kemi rritje të shumave të subvencionimit. Zhvillimeve të agrobiznesit i kemi kushtuar rëndësi të veçantë. Do të përkushtohemi t’i përkrahim projektet e vogla të agrobiznesit. Ftojmë gratë të marrin pjesë në këto agrobiznese. Jeni të hapur dhe të përkushtuar të përkrahim të gjitha projektet që gratë të jenë të avancuara”.
Të huajt janë ata që kanë mbështetur gratë në agrobiznes. Njëjtë ka bërë edhe Zyra Koordinuese e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.
Sipas Agjencisë së Statistikave, në vitin 2021 çmimi i konsumit në bujqësi kishte rritje për 11.5%, krahasuar me vitin 2020. Kurse indeksi për investimet kishte rritje për 5.0%, krahasuar me vitin 2020.