Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Bruce Lee kosovar në filmin e viteve ’70 në Rahovec

Shefqet Mullaliu nga Rahoveci është krijuesi i një filmi të xhiruar në vitet ’70-a, por që nuk është publikuar ndonjëherë më parë. Protagonisti i këtij filmi ishte vëllai i tij më i ri i cili kishte talent për karate dhe e kishte idhull aktorin e famshëm të arteve marciale, Bruce Lee. Mullaliu po ashtu tregon se tema e filmit ishte sikur Bruce Lee është ringjallë.

“Filmi është xhiruar në vitin 1978, pasi që atëherë ishte në formë filmi i Bruce Leet me karate. Vëllai im më i ri ishte i flaktë për Bruce Lee dhe ushtronte shumë. E kam parë që ka talent dhe vendosëm që të krijojmë një film sikur Bruce Lee është ringjallë”, ka thënë Mullaliu për emisionin “SOT” në KTV.

Mullaliu, tani në pension, ka deklaruar se atëkohë ishte shumë vështirë që të sigurohen kasetat për xhirime. Kasetat i siguronte kur dikush nga mërgimtarët vinte nga Gjermania dhe kështu xhirimi i këtij filmi ka zgjatur rreth dy vjet.

“Kam siguruar disa kaseta, edhe pse ne atëkohë ishte shumë problem që të sigurohen. Kasetat ishin vetëm 8-milimetërshe e të cilat zgjasin vetëm 3 minuta xhirim. Sipas mundësive, kemi blerë nga 2-3 kaseta, pastaj kemi vazhduar me xhirime. Kasetat është dashur t’i dërgojmë në Gjermani ose Itali për t’i larë e pastaj bëhej montazhi”, tregon Mullaliu.

Ai po ashtu thotë se filmi nuk është publikuar asnjëherë sepse nuk i kanë pasur kushtet për ta përfunduar. Në vitin 1992 ai është larguar nga puna në Gjykatën komunale në Rahovec dhe është detyruar që të emigrojë në Gjermani, ku edhe jeton dhe vepron sot e kësaj dite.