Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Banori që e rregullon lagjen nga Facebooku

Është banor i Lagjes së Spitalit në Prishtinë. Dren Shahini, i cili prej disa vjetësh, rrjetet sociale i përdor në të mirë të vendbanimit të tij.

Kudo ku ai ndeshet me problemet në lagje, shkrep fotografi të cilat i publikon në grupin që ka krijuar në Facebook, duke iu drejtuar Komunës.

Dreni është aktivizuar në të mirë të komunitetit prej afro 10 vjet.

“Arsyeja pse ndodhemi këtu, është aktivizmi qytetar. Kam marrë iniciativë që ta krijoj grupin ku i paraqesim problemet e banorëve të lagjes. Këtu jemi te një problem tjetër, te një pusetë e dëmtuar e cila është hapur si pasojë e makinerisë së rëndë, por falë adresimit të problemit dhe insistimit që ky problem të zgjidhet, ka ardhur deri te sanimi”, tha ai.

Sipas tij, të qenit qytetar aktiv është detyrim.

“Nuk është vetëm të banojmë në një lagje, por të jemi koshient që e mira e përgjithshme vjen edhe prej të qenit qytetar aktiv”, shton ai

Një nga problemet e banorëve të rrugës “Muharrem Fejza”, siç shprehet Shahini, së fundi është marrë parasysh.

Krejt në afërsi të kësaj lagjeje, ndodhet hapësira e gjelbër e Fakultetit Teknik, aty ku Dreni shpreh një shqetësim tjetër.

“Për këtë problem në lagje, por edhe probleme të tjera është e detyrueshme që kur t’i adresojmë ato, ta praktikojnë një far forme gazetarinë qytetare, ta përshkruash problemin, mundësisht edhe ta dokumentosh me fotografi ose video. Problemin në fjalë e kam adresuar te grupi ‘Banorët e Lagjes’. Forma të cilën e praktikoj është gjithnjë etiketimi i zyrtarit përgjegjës, pastaj ia tregoj vendndodhjen e problemit, në cilën rrugë saktësisht dhe si ka ardhur deri tek ai. Janë disa probleme emergjente që nuk presin kohë, por ka probleme që presin. Ndërsa rregullimi i tyre varet krejt prej kostos që kërkon sanimi i atij problemi e shumë faktorë të tjerë”, thotë Shahini.

Sipas banorit prishtinas, qytetaria aktive duhet të jetë prezente kudo nga qytetarët, në mënyrë që të ndikojë drejtpërdrejt në të mirën e tyre.

Artikuj të ngjashëm