Nuk është vend i punës, por janë hollet e shkollës së mesme të lartë profesionale “Andrea Durrsaku” në Kamenicë.
Para dyerve të klasave janë vendosur aparatet për nxënësit që të regjistrohen kur hyjnë në orë, e gjithashtu edhe kur e përfundojnë mësimin.
Aparate të tilla përdoren pothuajse në secilin vend të punës, e nxënësve po del se po u pëlqen mjaft ky sistem, madje po i inkurajon të jenë sa më aktivë.
Nuk janë vetëm nxënësit ata që po pëlqejnë këtë sistem. Agim Maliqi, koordinator për sigurim të cilësisë në shkollë, tregon se është ide shumë e qëlluar, madje po bën që edhe vetë mësimi të jetë më atraktiv.
Janë gjithsej 143 nxënës ku secili nga ta është pajisur me kartelë.
E jo vetëm ata janë të obliguar të bëjnë check-in dhe check-out. Në sistem nuk përjashtohen as stafi kolektiv.
Gjithashtu edhe pedagogu i shkollës, Afrim Hoda, tregon se kjo mundësi do të rritë interesimin e nxënësve për orët mësimore.
Maliqi tregon se edhe pse hyrjet dhe daljet regjistrohen në sistem te drejtorisë, mësimdhënësit prapëseprapë janë të obliguar të shënojnë mungesat në ditar, edhe pse ky i fundit së shpejti pritet të digjitalizohet.
Zhvillimi ka arritur që mësimi në shumë vende të botës të digjitalizohet. A po ndodh ky fenomen edhe në Kosovë? Pritet të kuptohet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.