SOT

Kosovarja, nënë e 3 fëmijëve që po thyen tabu me ngasjen e taksive

Në rrugët e Kosovës të rralla janë gratë që mund t’i shohim në shërbimin e ngasjes në kompanitë e taksive apo të autobusëve.

Por këta stereotipa tashmë kanë filluar të zbehen, e në sektorë që jemi mësuar të shohim burra, tash të ngarkuara janë edhe gratë.

Një ndër to është edhe për Kosovare Bajrami-Plakiqi. Ka 17 vjet me patentë shoferi, por ky është viti i saj i parë që këtë shërbim po e kryen për klientët e kompanisë “ETAXI”.

Kosovarja thotë se ka ende qytetarë e klientë që çuditen kur e shohin si shofere të taksisë.

4 muaj që nga eksperienca e saj në këtë profesion, ka arritur t’i bëjë për vete klientët të cilët tani kur duan një shërbim e kërkojnë në veçanti Kosovaren.

Nëna e tre fëmijëve e sheh të rëndësishme karrierën, por edhe kontributin në edukimin e fëmijëve të saj.

Për të është hera e parë që po nget një veturë elektrike, e po ashtu është vlerësuar si shoferja më e mirë në kompani.

E një shërbim nga Kosovarja nuk shpëton edhe pa ndonjë bakshish nga klientët.

Shërbimi me vetura elektrike, e punësimi i grave në këtë sektor kishte qenë synimi i bashkëpronares së “ETAXI”, Edona Haliti.

Deri tani vetëm 2 shofere janë të punësuara në këtë kompani, por synimi i tyre është që ky numër të rritet.

Përmes aplikacionit e thirrjeve klientët thërrasin dhe kërkojnë shërbime nga gratë e punësuara në kompani

Kjo kompani është ende në kërkim të grave shofere, por, sipas tyre, ende ka ndrojtje nga gratë për t’u përfshirë në profesione të tilla. Megjithatë, dy shoferet gra të kësaj kompanie po e dëshmojnë se janë të zonja dhe mund të jenë edhe më të mira se burrat në timon.