SOT

Shtëpia e Shtjefën Gjeçovit, njëra ndër objektet e vjetra të Janjevës

Janjeva njihet si një vendbanim i lashtë. Këtë e dëshmojnë edhe objektet e vjetra të cilat gjenden në fshatin që i përket komunës së Lipjanit.

Shumë mure të ndërtuara nga guri janë dëshmia e një trashëgimie që ka mbetur e njëjtë nga koha kur është ndërtuar. Ajo që ka ndryshuar në këtë vend është numri i banorëve dhe mënyra e jetesës së tyre. Këtë na e tregon mësuesi i dikurshëm dhe banori i këtij fshati, Fehmi Gajtani.

Në mesin e shumë karakteristikave të trashëgimisë shqiptare, në Janjevë është edhe shtëpia ku ka jetuar Shtjefën Gjeçovi, arsimtar, mbledhës folklori, arkeolog dhe publicist shqiptar. Ky objekt i bënë banorët e Janjevës krenarë .

Në shkrepjet e fotografëve ky objekt është shpesh ai që e vë artin e të fotografuarit në piedestal, përderisa për banorët e Janjeves është ndër shkollat e para të vendit. Është vendi ku mësoi edhe mësues Fehmiu, siç njihet në fshat.

Qyteza me një hyrje dhe një dalje, siç njihet Janjeva, ka qenë vendbanimi i shumë njerëzve shumë moti, pa dallim feje apo etnie. Madje me pak renovime, ka të tilla shtëpi që shënojnë qindra vjet e që janë të banuara ende.

Fehmiu është edhe kryetar i komitetit lokal për siguri, por profesioni që e bën atë nostalgjik dhe e bën që të vazhdojë të jetë pjesë e një fshati historik është ai i mësuesit. Vitet më të bukura të tij i kaloi duke e bërë këtë profesion, me anë të cilët u bë shumë i dashur për bashkëvendësit.

Janjeva është fshat në Komunën e Lipjanit, i cili besohet që për herë të parë është përmendur në një letër të Papës Benedikti që mban datën 18.11.1303. Tash ai banohet nga shqiptarët, kroatët, turqit, romët dhe ashkalinjt.

Gjendet në lartësinë mbidetare rreth 600 metra, 15 km nga qendra komunale e Lipjanit.