SOT

Bekim Murati, vrapues i 86 maratonave

Bekim Murati erdhi nga Franca për të marrë pjesë në maratonën “Prishtina 2022”.

Për maratonistin nga Ferizaj ishte hera e parë që mori pjesë në garat e vrapimit në Kosovë.

Tregon se deri tash ishte pjesë e 86 maratonave.

Murati ishte shumë i nderuar me pjesëmarrjen në këtë ngjarje sportive. Për të është me rëndësi pjesëmarrja, jo pozita, pasi thekson se ajo për të është në plan të dytë.

Nga 784 pjesëmarrës, kroati Ante Zhivkoviq ka triumfuar në “Prishtina Marathon 2022”. Ai shtegun 42.195 kilometra e përfundoi për 2 orë e 40 minuta.

“Gara ishte e mirë, por 10 kilometrat e fundit ishin më të vështira. Edhe temperatura ishte e lartë për këtë periudhë të vitit. Për herë të parë jam këtu. Më pëlqen qyteti, njerëzit janë të afërt. Shpresoj që do të vrapoj sërish vitin e ardhshëm”, tha Zhivkoviq.

Erzen Zyberaj, i cili përfundoi i dyti në maratonë, ka thënë se për të është ngarkesë, pasi është gara e tretë që merr pjesë brenda vitit.

“Isha shumë i ngarkuar. Për mua është sukses. Jam i kënaqur me rezultatin. Për mua është kënaqësi të marr pjesë në Maratonën e Prishtinës. Shtegu ishte i mirë për vrapim dhe çdo gjë ishte në rregull”, tha Zyberaj.

Më të mirët në garën e 21-kilometërshit ishin Gresa Bakraqi dhe Albion Ymeri. Ata treguan eksperiencat e tyre në këtë garë. Thanë se synim i kanë garat ndërkombëtare.

Vendi i parë në këtë maratonë u shpërblye me 500 euro, i dyti me 450 euro, kurse i treti me 400 euro.

Këtë vit është mbajtur maratona e plotë, 42 kilometra e 195 metra, në kryeqytet, pasi në të kaluarën mbahej gjysmëmaratona.