SOT

Fëmijët, protagonistë në shkrepjen e fotografive nga Anila

Tingujt e aparatit teksa shkrepen fotografitë janë të preferuarat e Anila Kaçanikut. Ajo ka vendosur që pjesën tjetër të jetës të merret me të, duke e lënë anash profesionin si ekonomiste, dhe për t’u angazhuar kështu që arti i saj fotografik të bëhet pjesë e pandashme e kujtimeve të klientëve të saj.

Vëmendja dhe koncentrimi i saj bashkë me aparatin fotografik u janë drejtuar fëmijëve, dhe kjo për shkak të dashurisë dhe lidhjes shpirtërore që ajo ka me të vegjlit.

“Gjithmonë më ka tërheq butësia e fëmijëve”, thotë ajo.

Njëra ndër klientët e saj më të shpeshta, me të cilën e ushtron me shumë qejf punën e saj si fotografe, është njëkohësisht vogëlushja që ia dha asaj edhe statusin e të qenit nënë. Lindja e vajzës së saj është momenti i cili e riktheu Anilën afër aparatit fotografik, punë kjo që deri në atë moment ishte një pasion në të cilin nuk angazhohej.

“Një kohë jam shkëput pak prej fotografisë deri në momentin kur e linda vajzën”.

Trendi i fotografisë së fëmijëve qysh nga lindja e gjatë rritjes së tyre, është një trend tashmë pjesë e familjeve të reja.

Që nga lindja e hapat e parë kujtimet mbesin e ruhen nga fotografitë.

Puna me fëmijët ndonjëherë di të jetë edhe e lodhshme, por çelësi i të pasurit sukses me fëmijë, përveç dashurisë, është edhe njohja dhe afekti i mirë me ta. Kuptimi i botës së fëmijëve të siguron sukses në punën me ta. Botë kjo, e cila duke qenë shumëngjyrëshe mundëson që eksperiencat të mos përsëriten.

Duke qenë se e bën me shumë dashuri artin e të fotografuarit, Anila përkujdeset vetë edhe për skenografinë. Pikërisht kjo dashuri dhe entuziazmi me të cilin punon e bëjnë atë që të jetë gjithmonë në përpjekje për gjetjen e gjërave të reja të cilat janë detaje të vogla por që i japin fotografisë kah tjetër.

“Për bebet e posalindura veshjet i kam të gjitha unë”, thotë ajo.

E deri tash janë të shumta familjet që kanë zgjedhur që nga duart e syri i Anilës të kenë kujtime nga përditshmëria e datat e tyre me rëndësi.