SOT

Thatësia gjatë vitit rrezikon bujqit e fshatit Skifteraj

Vakti i drekës në sezonin e korrje-shirjeve, punëtorët i zë në arat e fshatit Skifteraj.

Fahrush Sadiku me bashkëfshatarët ndajnë punët qysh në fillim të ditës. Disa me traktor e të tjerët me kombajnë korrin grurin e mbjellë muaj më parë.

Puna fillon herët në mëngjes, thotë Sadiku dhe jo vetëm në tokat e tyre.

Për shkak të thatësisë rendimenti i këtij viti mund të jetë më i ulët, shton ai.

Ndërsa reshjet e ditëve të kaluara ia vështirësojnë punën e korrjes.

Sipas tij, në fshatin Skifteraj mbillen edhe produkte të tjera, megjithatë njihen më tepër për prodhimin e grurit. Ai shton se gjatë rritjes kjo bimë kërkon më pak kujdes.

E rëndësi të veçantë i kushtojnë plehërimit e fazës fillestare.

Rritja e çmimeve të produkteve bazë ndikoi edhe në punën e tyre.

Vështirësi hasin edhe në fuqinë punëtore, por thonë se mjetet e punës po ua lehtësojnë këtë.

Nga kombajna gruri kalon në traktor e pastaj dërgohet në mulli. Por kësaj radhe do të qëndrojë në depon e familjes për t’u dërguar për bluarje, atëherë kur të vlerësohet me një çmim më të lartë nga mullisët.

Vizitat në këtë anë të fshatit ka pasur nga ministri Peci, por familja Sadiku thotë se asnjëherë nuk mori subvencion.