SOT

Rritet çmimi për dele

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e deleve apo bagëtive të tjera si kurban. Për shkak të rritjes së çmimeve, edhe fermerët janë detyruar të rrisin çmimet e kurbanëve. Përmes këtij materiali do të njohim edhe fermerin 21-vjeçar nga Podujeva, i cili na tregon se si ka shkuar puna e këtij viti.

Livadhet e fshatit Konushec janë kullotat e këtyre deleve.

Adhurim Berisha është 21-vjeçar, fermer në biofermën Berisha në Podujevë.

130 krerë dele janë shoqërueset e tij të shpeshta në veprimtarinë me bagëti.

Ora 5 e mëngjesit e gjen të riun në livadhe bashkë me delet.

Delet e kësaj ferme nuk shfrytëzohen për qumësht, sipas Berishës, ata kujdesen që t’i plotësojnë kushtet për t’i shitur si kurban.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kurbanëve.

Fermeri thotë se duhet përkujdesje ndaj kafshëve para kësaj feste, që edhe blerësit të jenë të kënaqur.

Nga 120 në 140, kësisoj për 20 euro më shumë është bërë ky ndryshim, i cili sipas fermerit vjen nga çmimet e larta të ushqimit të bagëtive.

Megjithatë, Berisha thotë se klientët e kanë mirëkuptuar këtë ndryshim për shkak të rrethanave të tjera.

Rituali i therjes së kurbanit çdo vit e më shumë po rritet si kërkesë.

Sipas Berishës, nuk është e nevojshme as të dalin në treg, sepse porositë bëhen përmes rrjeteve sociale.

Bioferma “Berisha” merret edhe me kultivimin e lopëve e pulave.

Fermeri thotë se koha e festave është më e rëndësishmja për të zhvilluar punën me to.

21-vjeçari e cilëson të vështirë zhvillimin e veprimtarive në ferma në këtë kohë. Kjo, sepse pandemia e rritja e çmimeve janë tregues të vështirësisë së fermerëve për punë të mirëfilltë.

Megjithatë, si fermer i ri ai shpreson se me punë mund të shtohet edhe zhvillimi i këtij sektori të rëndësishëm.

Përveç prerjes së kurbanëve, festa e Kurban Bajramit pjesën tjetër e ka të njëjtë me Fitër Bajramin, faljen e namazit, vizita tek familjarët e ëmbëlsira sikurse bakllavatë.