Zona e Pejës njihet për bimët aromatike mjekësore. Përmes kësaj storie do të shohim llojet e këtyre bimëve, të cilat janë mjaft të kërkuara nga tregu vendor si dhe ai i jashtëm.
Me kamomil, mente, melisë, cian të katër, mëllagë të zezë, kalendul, rigon të kuq e grurë organik, si dhe shumë bimë të tjera, mbi 100 hektarë janë të mbjellë në zonën e Pejës, bimë këto aromatike mjekësore e të certifikuara si organike.
Violanda Morina thekson se në këto anë ka vite që kultivohen, mblidhen, përpunohen dhe eksportohen këto bimë.
Gjermania, Anglia dhe Amerika janë vendet që i kërkojnë më së shumti.
Morina tregon se në zonën e Pejës janë mbi 10 lloje të bimëve aromatike mjekësore duke përfshirë edhe grumbullimin nga mbledhjet spontane.
Kërkesa e madhe bëri që të krijohet kompania “Organic herbs”.
Aty magazinierja Arlinda Asllani tregon se gjithçka fillon nga bimët e freskëta, ku më pas bëhet klasifikimi, si dhe përpunimi i këtyre bimëve.
Ndërsa inxhinieri Ramë Mahmutoviq na shpjegoj në detaje të gjithë procesin e bimëve mjekësore që bëhet në këtë pikë grumbulluese të Pejës.
Në vend njihen dhe kultivohen afro 3 mijë lloje të ndryshme të bimëve, prej tyre rreth 400 janë bimë aromatike mjekësore.
Sipas njohësve të natyrës, këto bimë kanë veti shëruese, si dhe përdoren për përgatitjen e çajeve, lëngjeve, mëlmesave dhe për produkte farmaceutike.