Fshati ka 500 shtëpi me rreth 4 mijë banorë. Por në shikim të parë të lë përshtypjen e një qyteti. Hapësirat gjelbëruese, infrastruktura e rregulluar e mirëmbajtja janë vetëm disa veçoritë që e dallojnë fshatin Bellanicë të Malishevës.
Sipas banorëve, mënyra e jetesës nuk dallon nga vendet perëndimore. Vetë banorët kujdesen dhe e ndërtojnë infrastrukturën nga buxheti i mbledhur, i cili në vit arrit 100 mijë euro.
Bajram Zogaj, udhëheqës i Fondacionit të Bellanicës, ka thënë se mërgimtarët janë kontributdhënësit më të mëdhenj të Fondacionit, duke mos i përjashtuar edhe vetë banorët.
“Donatorët kryesorë të fondacionit janë mërgimtarët që na kanë përkrahur në të gjitha etapat që nga themelimi, për idetë dhe projektet e fshatit dhe si rezultat i kësaj kemi arritur m’u zhvillu shumë si vendbanim. Donacionet vijnë edhe nga banorët me aq sa kanë mundësi. Në fshat janë bërë shumë punë të mira, si mirëmbajtja e ambientit, rregullimi i hapësirave të gjelbëruara, rregullimi i rrugëve, kanalizimeve e gjithçka që është në shërbim të komunitetit”.
Fondacioni është themeluar në vitin 2008.
“Fondacioni ‘Bellanica’ ka dhënë rezultate dhe besoj që edhe vendet e tjera janë inspiruar nga ne, sepse kemi shumë kontakte me vende të ndryshme që pyesin për ketë fondacion, kjo duhet të përhapet si një shembull i mirë. Duke u organizuar si komunitet mund të bëjmë gjëra të mira dhe të mos presim nga Komuna. Nga viti në vit buxheti i fshatit është rritur, brenda vitit shuma që mblidhen nga mërgimtarët dhe nga banorët e fshatit ka kaluar 100 mijë euro”.
Edhe arkitektura e vjetër e bën të veçantë fshatin Bellanicë, thotë Nysret Sertolli, mësimdhënës në shkollën fillore.
“Në bazë të dokumenteve të shkruara, fshati Bellanicë ekziston që nga viti 1530, ndërsa nga ana e të moshuarve ky fshat është shumë më herët i krijuar. Vetë pamja e këtij fshati është karakteristike që rrallë kund mund të gjendet. Të parët tanë që e kanë krijuar këtë vend edhe pse nuk kanë qenë të arsimuar kanë përdorur arkitekturë praktike dhe të përshtatshme për jetesën e banorëve të fshatit. Kanë lënë hapësira të gjelbëruara, rrugë të gjëra në hyrje dhe dalje, që rrallë kund mund të gjenden në qytete. Deri në vitet ’80, kur kanë filluar organet e pushtetit komunal, vetë qytetarët e fshatit e kanë ruajt fshatin”.
Ai tregon se fshati u shkatërruar 4 herë nga pushtuesit në periudha të ndryshme e që më pas është rindërtuar pa e humbur arkitekturën e vjetër.
Sertolli thotë se kjo shkollë si e vetmja në fshat me 350 nxënës veçohet për nga cilësia e arsimit.
“Shkolla e tanishme është ndërtuar në vitin 1972, ku kanë gravituar fshatrat e tjera përveç Bellanicës. Kjo shkollë ka pasur dhe ka traditë pune, i gjithë stafi arsimor është i angazhuar në cilësi të arsimit dhe sukseset e nxënësve nuk kanë munguar. Prej kësaj shkolle kanë dalë shumë profile, si mjekë, profesorë, zyrtarë, drejtorë”.
Sipas tij, edhe vizitorëve u pëlqen pamja piktoreske e fshatit.
“Nuk ka vizitorë të posaçëm, mirëpo vizitorët që vijnë mbesin të mahnitur nga pamja që e ka, por edhe nga puna e fondacionit që e ka fshati. Ndjenja e vizitorëve është e veçantë kur takohen me banorët e fshatit. Fshati përshtatet për të gjitha moshat, për të rinjtë, të moshës së mesme dhe për pleqërinë”.
Një banor tjetër u kthye nga Zvicra që të vazhdojë të jetojë në Bellanicë. I riu Zenel Hoxha thotë se Kosova i ofroi zhvillimin e biznesit.
“Fshati është i ndërtuar jashtëzakonisht mirë nga të parët tanë. Ajo që veçohet e që e ka ndihmuar shumë zhvillimin e fshatit e që neve të rinjve na ofron jetesë të mirë është fondacioni i fshatit, ku të gjithë kontribuojmë për ta mirëmbajtur fshatin. Unë vetë kam jetuar në Zvicër dhe kam pa kultura të ndryshme qysh mbahet ambienti dhe për mendimin tim as fshati im nuk ka asnjë dallim nga Zvicra për nga qetësia, pastërtia dhe kultura e njerëzve”.
Bellanica edhe për vizitorët lë përshtypje të mira për pastërtinë dhe hapësirat e gjelbëruara.