SOT

Portreti i 19-vjeçarit me sindromën Down zbukuron Ferizajn

Leart Gashi ndalet, buzëqesh dhe e shkrep një fotografi për ta shpërndarë në rrjetet e tij sociale, ku është shumë aktiv. E kohëve të fundit, shoqëria aty iu shtua edhe më shumë, pasi që portreti i tij u bë i njohur nga të gjithë në Ferizaj.

19-vjeçari Gashi, ka zënë vend si mural në shkollën e muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj, në vendin që shumë shpesh e frekuenton.

Pianisti i ri është i lumtur që po njihet nga të gjithë.

Learti si shoqëruese e ka motrën, Diellzën. Të dy bashkë thonë se janë me fat që artisti spanjoll, Dridali, zgjodhi figurën e Leartit për të bërë në mural të cilin e ka realizuar në mënyrë të përsosur.

Pos portretit, në mural Learti shihet përderisa luan në piano, instrumentin të cilin e pëlqen shumë.

Nga muzika ai vazhdon dhe vesh mantelin e bardhë për të punuar si asistent në një nga barnatoret e këtij qyteti.

E mësuesja e muzikës, Lira Bytyqi, tregon për takimin e rastësishëm me Leartin, e që atëherë ruajnë një raport të veçantë mes tyre.

Ajo thotë se ka qenë e befasuar me ato që ka mësuar Learti për një periudhë të shkurtër.

Përfshirja në shoqëri e personave me aftësi të kufizuara ka qenë tema e këtij viti në festivalin e muraleve, që tashmë është bërë traditë e simbol i Ferizajt.

Murali i Leartit është pjesë e edicionit të 7-të të Festivalit të muraleve, i cili zgjati nga data 7 deri më 14 maj, e pjesë e saj ishin shumë artistë vendorë e ndërkombëtarë, që shfaqën talentin e tyre në temën “Je dhe s’je”.