SOT

Mbjellje të fidanëve dhe luleve nën tingujt e muzikës

Dita, që pjesëtarët e “Handikos Mitrovica”, “Së bashku”, dhe “Hapësira shoqërore për dekonstruktim” e nisën aktivitetin e radhës, i priti me reshje shiu.

Kjo nuk i ndaloi që të vazhdojnë me mbjelljen e luleve dhe fidanëve, duke i kënduar pranverës.

Violeta Klisurica rrëfen për emocionet që i përjeton kur bëhet pjesë e aktiviteteve të tilla.

Përpos qëllimit të ruajtjes së ambientit, këto ngjarje kthehen në përditshmëri për pjesëtarët e “Handikos Mitrovica”, pasi që bimët kërkojnë kujdes të mëtutjeshëm.

Për Sylejmon Eminin, anëtar i kamotshëm i kësaj shoqate, projektet dhe ngjarjet e tilla luajnë rolin kryesor në grupin e tyre.

Përpos kësaj, harmonia që e kanë mes vete, shakatë e përcjella me të qeshura dhe suksesi që e tregojnë në fusha të ndryshme u sjell kënaqësi të veçantë.

Sidomos kur i ndajnë me njëri-tjetrin.

Organizata joqeveritare “Hapësira shoqërore për dekonstruktim” vullnetarisht i është bashkuar iniciativës për mbjelljet pranverore në oborrin e “Handikos Mitrovica”.

Pablo Dulac të papërshkrueshme e quan ndjenjën që energjia pozitive e anëtarëve të shoqatës i ofron.

Edhe qëllimi i përbashkët për ambient sa më të bukur është një arsye më tepër për punë.

“Organizata ‘Hapësira shoqërore për dekonstruktim’ ka ndihmuar me rregullimin e kopshtit këtu në qendër të Mitrovicës. Ideja këtë vit ishte që të punojmë bashkë me ‘Handikos’ për ta rregulluar kopshtin. Nuk është kjo hera e parë që punojmë bashkë, na pëlqen që të punojmë, kështu që ne u kemi propozuar dhe ata ishin shumë të lumtur e të motivuar për punë. Shkëmbejmë bashkë idetë e bashkë edhe i realizojmë”, tha Dulac.

“Ndjenja është e jashtëzakonshme, veçanërisht kur punojmë me ‘Handikos’. Secili dëshiron të marrë pjesë, secili është i lumtur, është me të vërtetë një energji e mirë dhe kur e dimë që po e japim kontributin tonë është ndjenjë e bukur”.

Organizata “Së bashku”, pjesë e së cilës është edhe Bukurije Hyseni – Brezhnica, po ashtu u bë pjesë e mbjelljeve në “Handikos Mitrovica”.

Suksesin e projektit ajo nuk e vë në dyshim duke e ditur se sa me zell të gjithë po punojnë.

E mbështetje çdoherë japin edhe prindërit e anëtarëve të “Handikos”. Pa marrë parasysh aktivitetin ku ata marrin pjesë, prindërit janë aty.