SOT

Besarta, bletarja e 80 koshere bletësh në Ferizaj

Muajt e pranverës janë javë (pune) intensive për bletarët. Menjëherë pas dimrimit të bletëve, moti i mirë e lulet e çelura bëjnë që ato të dalin nga kosheret.

Punën e ka filluar edhe bletarja Besarta Kluna- Tahiri nga Ferizaj.

Mësimet e para që ndihmuan në zhvillimin e pasionit të saj thotë se i mori 4 vjet më parë.

Sipas 34-vjeçares për të punuar me këtë insekt duhet të jesh e qetë. E atë më së shumti thotë se ia përçojnë bletët.

Në natyrën e bukur të fshatit Dremjak ajo kujdeset për mbi 80 koshere bletë.

Çdo ditë është e njëjta.

Kontrollimi i ushqimit e i gjeneratave të reja është pjesë e punës, përfshirë këtu edhe tymosjen. Sipas Besartës, ajo shërben për t’i qetësuar.

Mbretëresha, infermieret, punëtoret, kujdestaret e bletët meshkuj e përbëjnë një koshere. Secila kryen një funksion.

Bletarja thotë se arrin të nxjerrë nga 10-15 kg mjaltë nga një koshere, të cilat i shet për klientët e saj.

Përveç mjaltit, të interesuar ka edhe për produkte të tjera nga bleta.

Për rreth 4 vjet ajo ka fituar medalje të shumta që dëshmojnë cilësinë e mjaltit.

Në të ardhmen ajo mendon të investoj në “api-aeroterapi”, trajtim ky që vjen nga kosherja e bletëve dhe u ndihmon personave me probleme në frymëmarrje.