SOT

Receta e veçantë e shurupit të dudave

Të jetuarit shëndetshëm e parandalimi i sëmundjeve përmes produkteve bimore është çdo herë në rritje.

Tash e 23 vjet në Prishtinën e vjetër ndodhet njëra nga lokalet, e cila ndër të tjera është e famshme për një produkt të caktuar.

E tërë këto vjet familja Osmani ka ruajtur edhe dudat, prej të cilave krijojnë shurupin që shëron plagët e gojës dhe të mykut.

E Besa Osmani, që po e vazhdon këtë traditë, tregon për dobitë e tjera

“Shurupi zakonisht përdoret për myshqet, kandidat, aftet. Ajo shëron plagët në gojë brenda 1-2 ditëve. Përdorimi është shumë i thjeshtë. Mjafton të shpërlahet goja 3 deri 4 herë në ditë. E veçanta tjetër është se mund të përpihet e ndihmon edhe në shërimin e skuqjes së fytit”.

Sipas Osmanit, ky lëng nuk përmban kimikate andaj, përveç të rriturve, këtë mund ta aplikojnë edhe foshnjat.

“Ky dud që e kemi dallon nga dudat e rëndomtë në kopshtet e shtëpive tjera Shurupi i dudi është krejtësisht natyral, nuk ka asgjë tjetër në të. Andaj edhe mund të aplikohet edhe te foshnjat. Ky shurup duhet të përgatitet pak ditë para përdorimit sepse shumë shpejt mund të tharbet e të humb efektit e krejt kjo vjen për shkak se ne nuk shtojmë asnjë kimikat që shtyn datën e skadimit”.

Syri të kapte edhe kavanozat me mjaltë. Të pastër e të kombinuar, për imunitet, bronkit e lukth janë disa nga ato që kërkohen.

Por njëra me dobi të shumta e më shije më të rëndë është ajo me nishadër.

“Nishadrin e marrim në formë të ngurtë e pastaj e bluajmë. Kjo kombinohet me mjaltë por ka raste edhe kur përzihet me ujë. Gjithsesi që duhet të konsumohet në mëngjes. Efektet pozitive të saj janë të panumërta. Përvojat personale na dërgojnë deri te fibroadenozat e gjirit e gjëndrat dhjamore”.

Për të ulur dozën e medikamenteve, për të rikthyer energjinë e ngritur imunitetin, shumë persona në baza ditore konsumojnë edhe çarja bimorë.

“Meqënëse problemet me shëndetin janë të ndryshme edhe kërkesat e klientëve janë të tilla. Por çajet që mund t’ gjejnë këtu janë të shumtë, duke filluar nga ai kamomil, gjethe ulliri, sherbele, levande, mentë, kantarioni e hithrës”

Numri i klientëve rritet çdo ditë, thotë Besa e këtu ka ndikuar informimi i saktë për secilën bimë e njohja me dobitë e tyre.

“Ka shumë klientë besnik. Madje ka prej atyre që vijnë e na tregojnë për bimë të caktuara që ne duhet t’i marrim e t’i shesim”.

Përdorimi bimëve natyrale në çfarëdo lloj forme shtohet më shumë në kohë të ftohta për parandalimin e viruseve.

Këto të fundit shpesh rekomandohen edhe nga profesionistët shëndetësorë.