SOT

Rrëfimi i mësuesit Shaban Çupi që i mbijetoi Masakrës së Dubravës

Historia e Shaban Çupit fillon që nga vitet ‘80 dhe që nga ajo kohë fati i tij u përplas me ngjarje të ndryshme.

Mësuesi nga Paldenica e Hanit të Elezit ndër vite kujton momentin kur e mori përsipër për herë të parë mësimdhënien në shkollën “Kështjellë e Diturisë” në këtë fshat.

Edhe pse ishte e ndaluar, gjatë luftës shkollat shqipe fshehurazi zhvillonin mësimin, e për këtë jeta e mësimdhënësve u rrezikohej nga paramilitarët serbë.

Si shkak i profesionit si mësues, Çupi mbajti 6 vjet burg.

40 vjet mësimdhënie nuk ishin aq të lehta për 62-vjeçarin, njëherësh të mbijetuarin e masakrës në Burgun e Dubravës.

“Mësues kam dalë në vitin 1980, fillimisht kam punuar në Han të Elezit. Me 4 dhjetor vitin 1985 jam burgos nga UDB-a, ku jam dënuar 4 vite e 6 muaj burg. Jemi denu për nacionalizëm, seperatizëm e të tjera, për Kosovën Republikë. Nga burgu i parë kam dalë 23 prill të vitit 1985 por edhe pse dulëm nga burgu, në vitet e 90-ta ndodhën shumë ndryshime ndërkombëtare , rënia e murit të Berlinit, kolopsoj sistemi socialist, por problemi ishte se Kosova ishte nën kthetrat e Serbisë. Dhe ne ishim të vetëdijshëm se Kosova pavarësisht tendencave tona që të zgjidhet në mënyrë paqësore e ditshim se urrejtja serbe-shqiptare e madhe dhe e shihnim se Kosova do të përjetoj një situatë tepër të rendë atë që e pritëm të gjithë, vitin 1998-99 me UCK-në. Për të dytën herë arrestohem me 16 mars 1999 në malet e fshatit ku kam përjetuar edhe masakrën në burgun e Dubravës, e cila është zhvillu nga 19 maji deri më 24 maj ku janë vrarë 2 117 shok dhe 200 kanë mbetur të plagosur me lëndime të renda e të lehta”, tha ai.

Burri nga Paldenica thekson se të burgosurit e Dubravës u shfrytëzuan edhe si pengje nga paramilitarët serbë.

“Pas masakrës në burgun e Dubravës ku i lamë të gjitha kufomat të shtrirë na kanë sjellë në burgun e Lipjanit dhe me 10 gusht që ne nuk kemi pas asnjë informacion se çfarë po ndodh me Kosovën pos që i mendonim bombardimet e NATO-s. Me 10 gusht 1999 pa e ditur se është nënshkruar marrëveshja në Kumanovë neve na kanë marrë si pengje dhe na kanë transferu në burgun e Serbisë. Unë kam qenë në Nish së bashku me shok të tjerë, me 10 gusht të vitit 2000 jemi kthyer në Kosovë pranë familjes. Me 1 shtator rifilloj punën në shkollë ku jam edhe sot”.

Ish-i burgosuri politik kujton se arsimimi në gjuhën shqipe ua rrezikonte jetën mësimdhënësve në atë kohë.

“Në burgun e parë mësimdhënia më është ndërpre përjetësisht sepse është e kuptueshme që nëse ke shkelur ligjet e ish-Jugosllavisë sanksionoheshin. Në atë kohë kanë shkru i papërshtatshëm moral e politik për vlerat tona socialiste e qeverisëse. Mirëpo deri sa ishim në përfundim të burgut vetë sistemi i tyre ra”.

Profesioni i tij në kohën e luftës nuk ishte aq i lehtë për Çupin. Por asnjëherë nuk u kursye që t’i kontribuonte atdheut.

“Kjo shkollë në afërsi ka edhe rrugën kryesore dhe serbët në atë kohë me patrullat e tyre vazhdimisht kanë bërë provokime nga shkolla. Nuk po mundem me i detaju sjelljet e tyre që kanë bërë karshi neve. E mbaj në mend se kur isha në msimtore në zyrën ku isha unë gjithmonë e kam mëndu daljen nga ana e dritares së zyrës nëse vijnë nga dera dal nga dritarja. Nuk ka qenë lehtë por ne e kemi pas një mision nuk kemi mujt me asnjë çmim të pajtohemi të ia vëmë drynin gjuhës shqipe”.

Në ditët e sotme kjo shkollë për mësuesin e fshatit ka mbetur si muze që kujton të kaluarën e trishtë të tij dhe të kolegeve.

“Qysh në hyrje të kësaj shkolle për vizitoret tregohet historia e kësaj shkolle. Kjo është e gjithë historiku që nga shkolla e parë që ka qenë në qendër të fshatit 1947. Këtu kemi shkollën 1952 që është ndërtuar me kontribut të fshatarëve. Ky është mësuesi i parë Shaban Laci tani i ndjerë i cili ka kry në atë kohë medresenë Shkodër. Ky mozaik tregon e gjithë historikun ndër vite të shkollave në Han të Elezit”.

Drejtori i shkollës “Kështjellë e Diturisë”, Ahmet Krasniqi, kujton kohën kur ishte nxënës i mësuesit Shaban Çupi.

“Kemi gjithsej 11 mësimdhënës dhe 7 bashkëpunëtor, mësimi zhvillohet mirë kemi kushte të mira. Meqë jemi te historiku i kësaj shkolle si nxënës e kam pasur mësues Shaban Çupin, disa vite koleg tash jam edhe drejtor i mësuesit. Kalojmë shumë mirë jemi në hap me kohën”.

Për të mos e harruar të kaluarën, Shaban Çupi ka botuar 17 libra, ku të 18-n e ka në botim. Secila prej tyre ka një temë të caktuar, por më e veçanta për të është “Poema e Gafurr Lumës”, shokut të vrarë në Burgun e Dubravës.

“Këtu kam një libër të shkruar për dëshmorin që është vra, kam qenë dy herë më të në burg. Është Gafurr Luma i fshatit Glogoshicë, komuna e Kaçanikut. Baba i dy fëmijëve dhe ky është vra në burgun e Dubravës dhe unë shenjë respekti dhe nderimi dhe përkujtimi, në 53 vjetorin e lindjes së tij botova poemën “Buzëqeshje Lirie”, sepse nga vetë pamja e tij është karakterizuar me buzëqeshje”.

“Nga gjaku i tyre vjen liria” Gafurr Loku (1949-1999), “Shënime në kohë të mugëllt”, “SHKA Sharri në Han të Elezit”, “Jatakët e lirisë”, “Gjurmime etnografike në trevën e Hanit të Elezit”, “Shkolla popullore shqiptare në fshatin e Paldenicës”, “Trashëgimia kulturore në trevën e Hanit të Elezit”, e shumë të tjera janë librat e mësuesit që flasin për rezistencën e arsimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.