SOT

Fshati ku ndodhet kulla 200-vjeçare e përmes së cilit kalojnë dy lumenj

Ndodhet 17 kilometra larg qendrës së Gjakovës e me sipërfaqe arrin deri në kufi me Shqipërinë.

Është ky fshati Brovinë, i rrethuar me male, e përmes së cilit kalojnë dy lumenj, Ereniku dhe Vrela.

Ereniku e ndan qendrën e fshatit me pjesën ku shtrihen fushat pjellore në të cilat zhvillohej bujqësia, dikur aktivitet kryesor i banorëve.

Në mes të veçantave të tjera, Brovina njihet edhe si fshat ku ishin të ngritura rreth 15 kulla.

E vetëm njëra ndër to i ka mbijetuar kohës.

Është kjo kulla ku ka lindur e ka jetuar deri në moshën 6-vjeçare ish-mësuesi i fshatit, Ibër Sadira.

Sadria rrëfen për kohën e kaluar në këtë kullë.

E që kjo mos ta ketë fatin e të tjerave po kujdesen të rinjtë vullnetarë, të cilët e kanë filluar renovimin e saj.

"Kulla është e pronarit Zeqë Rama, i zoti i shtëpisë në kohën kur unë kam lindur edhe kam jetuar në këtë shtëpi. Deri në moshën 6- vjeçare kam jetuar këtu, më pas jemi zhvendosur pak më larg, por çdoherë e kam vizituar. I ka më tepër se 200 vjet".

“Në Brovinë kanë lindur e janë rritur shumë intelektualë të profileve të ndryshme”, me krenari thotë Sadri Asllani, profesor i sociologjisë.

E, me shqetësim tregon për migrimet që të rinjtë tash po i bëjnë nëpër vende të tjera të botës.

"Fshati Brovinë është një ndër fshatrat më të vjetra, për shkak se ne nuk jemi ardhacakë por vendas. Është fshat i aktivistëve, i intelektualëve, sepse kemi mjekë, profesorë inxhinierë e të profileve të tjera".

Mirëpo ata banorë të cilët e kanë lënë vendlindjen në kërkim të një jete më të mirë nuk e kanë harruar atë.

Me iniciativën e pronarëve të Kullës dhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, tash ajo po merr pamje të re me anë të punimeve që kanë filluar në të.

Banorët rezidentë me ndihmë të bashkatdhetarëve kanë investuar kohë e mund në mënyrë që gjeneratat e reja mos ta ndiejnë nevojën ta braktisin Brovinën.