SOT

Ruajtja e mollëve nëpër ferma për konsum gjatë dimrit

Ndonëse vilet në shtator, molla është njëri nga frutet më të konsumuara edhe gjatë stinës së dimrit. Pothuajse të gjithë bujqit, e ruajnë atë për shitje e konsumim edhe kur bien temperaturat. Megjithatë, sipas Mehdi Bresillës, i cili merret me kultivimin e mollës qysh nga vitet 2000, ky proces fillon shumë më herët. E për to duhet kujdesur gjatë tërë vitit. Masat agroteknike fillojnë ende pa rënë gjethet, thotë Bresilla.

Këto të fundit, ndërrmara më herët bëjnë që molla të mos kalbet edhe kur dërgohet në deponim.

“Për kultivimin e mollës janë një varg masash agroteknike. Si masë kryesore është mbrojta. Në momentin kur përfundon vjelja fillojmë me përgatitjen e mollës. Si hap i parë është një sasi e plehit që i hudhet në mënyrë që të dekomposohen të gjitha sëmundjet që gjenden në trup të mollës. Doza e bakrit hyn në etapën e dyte kurse krasitja e pemës duhet të bëhet në shkurt.”

Gala, Delisheci i kuq, i artë, Fuxhi, Pinova e shumë lloje të tjera janë të mbjella në mbi 9 hekatët e Bresillës, në fshatin Llugaxhi.

Moti e temperaturat luajnë një rol kyç në rritjen e mollës andaj, sipas Mehdiut, sivjet ishte një vit më i rëndë.

Megjithatë rendimenti ka qenë i bollshëm. Vetëm në një hektarë janë vjelë mbi 30 mijë kg mollë.

“Sivjet ka qenë vit karakteristik. Mbi 60 ditë i kemi pasë pa shi e temperaturat kanë qenë shumë të larta. Ne gjithmonë ‘Galën’ e kemi vjelë shumë herët, në muajin gusht, e sivjet është shty vegjetacioni deri në tetor”, shtoi tutje Bresilla.

Depoja ruajtëse është e mbushur me mijëra arka të cilat paraprakisht duhet të jenë të pastruara.

E Mehdiu është siguruar që ato ti mbush duke i klasifikuar.

Arkat tashmë kanë marë ngjyrë të kuqe, verdhë e disa të gjelbërta.

Edhe në hapësirën brenda janë disa faktorë të rëndësishëm. 1 deri në 4 gradë duhet të jetë temperatura optimale kurse lagështia e ajrit duhet të sillet deri në 90%.

Nëse këto kushte plotësohen mollët mund të ruhen aty deri në 5 muaj thotë Bresilla.

“ Këta janë faktorët për kushte normale por ekzistojnë edhe kushte më të mira e më të avancuara që janë me atmosferë të kontrolluara por që nuk i kemi sepse janë shumë të shtrenjta. E në kushte të tilla mollët mund t’i ruajmë deri në 1 vit”

Mollët e kultivuara, Mehdiu i shet brenda Kosovës. Kilogramin e shet 25 centë, kurse te konsumatorët ato arrijnë me çmim prej 50 centësh.