SOT

Pishat e Zeza të Deçanit, një pasuri e mbetur pas dore

Vlerësohen se kanë tre shekuj pas vetes, por kjo nuk është karakteristika e vetme e Pishave të Zeza në Deçan. Karakteristikë tjetër e tyre janë bukuria natyrore, pastaj të mirat shëndetësore e deri te trashëgimia kulturore.

Ka edhe një karakteristikë. Sot nuk shfrytëzohen as për rehabilitim, as për rekreacion e turizëm shkaku i telasheve politike me tokat e Manastirit të Deçanit në afërsi të të cilit gjenden ato.

Haki Tahirukaj, inxhinier i pyjeve, Pishat e Zeza të Deçanit i ka cilësuar si pasuri të Kosovës, gjë e cila duhet vlerësuar dhe ruajtur si trashëgimi kulturore.

“Në Deçan, si regjion për pyje në përgjithësi, sidomos karakteristike janë pyjet e Deçanit. Pishat e Deçanit datojnë shumë herët kjo si kulturë është para 300 viteve e më tepër. Emri i saj (emri i pishës) latin është ‘pinusniga’ prej asaj edhe e ka emrin pishat e zeza. Si kulturë e ka një domethënie shumë të madhe. Si park, përpos rëndësisë ekonomike, ka edhe rendësi turistike edhe sociale, mjedisore. Pas Luftës së Dytë Botërore, faktikisht më 1968 është shpallur si Park Kombëtar”, ka thënë Tahirukaj.

Sipas tij, turizmi në këtë pjesë ka ngecur për shkak të zhvillimeve politike.

“Nuk ka turizëm, ajo që ka qenë e dedikuar për fëmijët e Kosovës, për rehabilitim, gara, për të gjitha, më nuk është në funksion kështu që faktikisht pishat e Deçanit tani janë të izoluara. Pisha e zezë është kulturë e rrallë, e cila i përgjigjet këtij ambienti, kësaj toke, sepse kjo është në afërsi të gështenjës së butë, kështu është tokë acide. 300 e ca vite ekziston këtu, gjallëron”, shtoi ai.

Ky lloj i pishave gjendet vetëm në Deçan, por të ngjashme ka edhe në vendet e tjera të Kosovës.