SOT

Estradës i lehtësohet kalimi i kufijve në rajon

Drejtori i departamentit të estradës në kuadër të Odës së Hotelierisë së Kosovës, Afrim Muçiqi, ka thënë se këngëtarëve nga Kosova që do të performojnë në vendet tjera të rajonit, Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni, do t’u lehtësohen procedurat e kalimit të kufijve, nëpërmjet memorandumeve të bashkëpunimit me odat në këto shtete.

Ai në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se me këtë marrëveshje do t’u lejohet kalimi i kufijve pa procese të zgjatura në terminale për pajisje.

Sipas tij, për të përfituar nga ky lehtësim, këngëtarëve u duhet të anëtarësohen në Odë e të paguajnë një tarifë të caktuar.

“Pa licencë s’do të mund të përfitojnë”, ka bërë të ditur ai.

Sipas Muçiqit, sikur estrada kosovare që mund të kalojë në shtetet tjera më lehtë, edhe këngëtarët nga vendet tjera do të mund të hyjnë më lehtë në Kosovë.