Mirvete Klinaku është emri i nënës që periudhën e luftës nuk mund ta harrojë asnjëherë.
Ajo ishte nënë e një djali dhe një vajze në atë kohë, por granatimi nga forcat serbe ia ndau nga jeta Ardianën gjashtëmuajshe.
Mosha e saj e vogël dhe periudha e trishtë nëpër të cilën kishte kaluar kjo familje bënë që sot të mos ketë as edhe një fotografi të vajzës.
Një fustan është i vetmi kujtim i mbetur nga ajo që ruhet në Qendrën Dokumentuese në Prishtinë.
Si nënë, ajo thotë se do të dëshironte që të paktën një herë ta shihte në ëndërr.
Klinaku me familjen jeton në fshatin Bivolak të Vushtrrisë, por Ardianën nuk e varrosën aty.
Edhe pse vetëm gjashtëmuajshe, vajzën e vetme Mirvetja e kujton si fëmijë të hareshëm.
Rrëfimin emocional për humbjen e Ardianës, Klinaku shprehet se do ta përcjellë gjithë jetën te të tjerët, derisa forcën për të vazhduar do ta gjejë te tre djemtë e bashkëshorti i saj.